Nënsekretarja amerikane për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, në konferencë të përbashkët për media në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmendur edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ajo ka thënë se Asociacioni është hap esencial drejt rrugës euroatlantike të Kosovës dhe se për të ka biseduar me presidenten Osmani.
“Me presidenten këtë mëngjes patën një diskutim produktiv lidhur me dezinformimin, politikbërjen, mbështetjen për shoqërinë civile dhe angazhimin multilateral. Folëm po ashtu për çështjen kritike, të rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Ritheksova që mund ta mbështesim më së miri rrugëtimin e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike kur kemi bashkëpunim e koordinim të ngushtë. E di që kjo është çështje shumë me rëndësi edhe për ju, presidente Osmani. E diskutuam hapin esencial drejt rrugës euroatlantike të Kosovës – lëvizja përpara e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Allen.
Allen ka thënë se memorandumi i nënshkruar mes SHBA-së dhe Kosovës për luftimin e manipulimit të informatave nga shtetet e huaja, është tregues i përkushtimit të SHBA-së dhe Kosovës për zhvillimin e një qasjeje të përbashkët për ta kuptuar më mirë dezinformimin me origjinë të huaj dhe për ndërtimin e mekanizmave konsultativë për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi.
“Ne e njohim faktin që qeveritë autoritare manipulojnë me informata dhe shpërndajnë dezinfomata për të ndikuar te njerëzit anembanë botës, duke ndjellë kaos e ndasi, për ta ulur besimin në institucione veçanërisht në institucione demokratike. Ashtu siç e kemi NATO-n për të garantuar sigurinë e mbrojtjen, ne mbi këtë marrëveshje do të mbështetemi në këtë marrëveshje për t’iu kundërvënë dezinformatave të huaja dhe ndikimet malinje”, tha Allen.
Allen e ka krahasuar ndërveprueshmërinë e forcave të sigurinë si ato të NATO-s me përpjekjen për ndërveprim e bashkëpunim më të madh edhe në fushën e luftimit të dezinformimit me këtë marrëveshje.