Banorët që e shfrytëzojnë në vazhdimësi këtë nënkalim thonë se me telashe të tilla përballen sa herë ka reshje shiu. “Këtu kaloj çdo ditë për shkak se punoj dhe gjendja është qysh po e shihni vetë, është vështirë të kalohet, sidomos gjatë reshjeve. Këtu çdo ditë është thuajse e pamundur të kalohet. I kanë vendosur këto blloqe këtu, por shumë është e vështirë… Shumicën e herëve, sidomos kur ka reshje më të mëdha, nuk kanë bërë diçka për zgjidhje, çdoherë e kemi kështu kur ka të reshura”, ka thënë një qytetare e Prishtinës. Në Komunën e Prishtinës nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS se kur është intervenuar për herë të fundit në këtë vendkalim dhe se si mendohet që t’i bëhet zgjidhje problemit
Me dhjetëra qytetarë të kryeqytetit që ia mësynë nënkalimit në lagjen Veternik për të kaluar nga njëra në anën tjetër të rrugës në mënyrë më të lehtë dhe më të sigurt, të enjten u është shfaqur një pengesë e madhe.
Uji i mbledhur si pasojë e reshjeve të shiut ka zënë shtrat në këtë nënkalim, duke e lënë të përmbytur më shumë se gjysmën e hapësirës. Për ta kaluar hapësirën e përmbytur, qytetarët janë detyruar që të shkelin mbi disa kubëza të betonit, të cilat janë vendosur për t’i shpëtuar sadopak ujit. Por në disa raste as kubëzat nuk kanë ndihmuar që disa prej qytetarëve të mos përfundojnë në shtresën e grumbulluar të ujit.
Por banorët që e shfrytëzojnë në vazhdimësi këtë nënkalim thonë se me telashe të tilla përballen sa herë ka reshje shiu.
“Këtu kaloj çdo ditë për shkak se punoj dhe gjendja është qysh po e shihni vetë, është vështirë të kalohet shumë, sidomos gjatë reshjeve. Këtu çdo ditë është thuajse e pamundur të kalohet. I kanë vendosur këto blloqe këtu, por shumë është e vështirë… Shumicën e herëve, sidomos kur ka reshje më të mëdha, nuk kanë bërë diçka për zgjidhje, çdoherë e kemi kështu kur ka të reshura”, ka thënë një qytetare e Prishtinës.
E nxënësja Erza Gruda, e cila e frekuenton nënkalimin shkaku i sigurisë, thekson se në këtë pjesë në vazhdimësi ka vështirësi.
“Mua më bie çdo ditë që të kaloj këndej dhe shumë shpesh kur bie shi është kështu e mbushur me ujë edhe duhet të kaloj nëpër këta gurët për të kaluar në anën tjetër të rrugës. Se ndryshe ose duhet të kaloj andej ku është rruga dhe është rrezik, ose këtu”, ka thënë ajo.
Qytetarë të tjerë kanë zgjedhur që në kalimin nëpërmjet nënkalimit t’i përvjelin pantallonat si një alternativë për të mos u lagur nga uji, niveli i të cilit ka arritur të mbulojë edhe shkallën e parë. E disa kërkuan rrugë të tjera për kalim matanë, menjëherë pasi e panë nivelin e ujit.
“Çka me kallxu, tmerr”, është shprehur e mllefosur një qytetare që u mundua të kërkonte mënyrë tjetër për ta anashkaluar nënkalimin.
Pati edhe qytetarë që ironizuan me pamjen e nënkalimit. Fadil Lumi, nga Prishtina, kërkoi që të sigurohet barkë për kalimin e tij.
“A po e shihni, katastrofë… Lypa një barkë aty që ta blej, por nuk kishte pasur... thuajse gati gjithë kështu ndodh, por nuk po kemi tjetër mundësi, këndej duhet tash, çfarë të bëjmë... Ishalla nuk ka vërshime më të mëdha se duhet të shkojmë rrotull”, ka thënë ai.
KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për të mësuar se kur është intervenuar për herë të fundit në këtë vendkalim dhe se si mendohet që t’i bëhet zgjidhje problemit, porse gjatë së enjtes nuk ka marrë përgjigje.