Arbëri

Nënkalimi i akullt rrezikon qytetarët

Kalimin këtu e kanë shumë të vështirë, madje shumë prej tyre rrezikuan që edhe të rrëzohen.

Nënkalimi te Spitali, i cili lidhet me lagjen “Kalabria”, është i pakalueshëm për shkak të akullit dhe grumbullimit të ujit.

Pllakat që i kanë vendosur vetë, qytetarët thonë që nuk po i ndihmojnë ata që të kalojnë pa probleme.

Disa prej tyre edhe i ranë pishman që të kalojnë, pas ballafaqimit me vështirësitë ata u kthyen, mirëpo nuk kanë rrugë të tjera alternative për kalim.

Më të vështirë po e kanë qytetarët e moshuar dhe gratë me fëmijë.

Edhe pse Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka për detyrë mirëmbajtjen e nënkalimit, drejtori i saj, Ilirik Musliu, thotë që është e pamundur kjo gjë.

Ai fajin e hedh te Drejtoria e Investimeve Kapitale, sipas tij, kjo do të duhej të intervenonte në infrastrukturë.

“Po, është një nënkalim shumë problematik, ne shpenzojmë çdo ditë energji për ta mirëmbajtur, sidomos kur kemi reshje shiu apo bore. Aty ka probleme me infrastrukturë, ne si DSHP nuk jemi përgjegjëse për infrastrukturën, ne vetëm kujdesemi që ta mirëmbajmë, mirëpo në gjendjen se çfarë është ne e kemi të pamundur mirëmbajtjen, ne e kemi kontaktuar edhe Drejtorinë e Investimeve Kapitale, po presim që gjatë këtij viti të bëhen disa intervenime aty, e qëllim me u përmirësua gjendja, sepse kur kemi reshje kemi shumë probleme dhe duhet të bëhet edhe hidroizolimi. Çdo ditë duhen 2-3 ekipe të shkojnë me pompa që ta largojnë ujin, pra është situatë shumë e komplikuar”, tha Musliu.

Komuna e Prishtinës ka shumë nënkalime që gjendjen nuk e kanë më të mirë se nënkalimi në fjalë.

Megjithatë kryetari Rama ka ende ide për ndërtime të nënkalimeve, në buxhetin e vitit 2024, për ndërtimin e nënkalimit Kalabri -Dardani, për fazën e parë janë ndarë 300.000 euro.

Kurse për ndërtimin e nënkalimit në kryqëzim të rrugëve "Agim Ramadani" dhe "Ibrahim Lutfiu" janë ndarë 4 milionë euro.