Arbëri

Nëna ankohet se i biri po i bullizohet nga “fëmijët e të fortëve”, autoritetet thonë se po e trajtojnë rastin

Bankat e zbrazeta shkollore

Valbona Krasniqi, një grua në Mitrovicë, nëpërmjet një postimi në Facebook të premten në mbrëmje ka alarmuar për bullizimin, dhunën, e kërcënimet e kamotshme që ka thënë se po i merr djali i saj 11-vjeçar në shkollën “Abdullah Shabani”. Teksa ka deklaruar se rastin e ka paraqitur në Polici e drejtori të shkollës, ajo ka thënë se përfunduar me konstatimin se “prindërit e fëmijës dhunues janë të fortë dhe kanë imunitet edhe përballë ligjit”. Ndërkaq nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë kanë thënë se rasti është nën menaxhimin e shkollës dhe Drejtorisë së Arsimit. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke e trajtuar rastin.

Siç ka shkruar kjo grua në Facebook, rastin e ka paraqitur nga drejtori i shkollës, te kujdestarja e klasës, por edhe te prindërit e fëmijëve të tjerë.

“Djali im prej kohësh rrahet, shantazhohet, ofendohet, kërcënohet me armë të ftohta, nga disa nxënës të tjerë të kësaj shkolle, kësaj moshe dhe kësaj komune. Ankesa ime si Nanë vetushqyese dhe kujdestare e vetme e tij që nga lindja e deri më tani është se: shqetësimin për tim bir e kam ngritur tek prindërit e këtyre fëmijëve, tek drejtori i shkollës, tek kujdestarja e klasës. Mirëpo, kjo ngjarje sot ka arritur në përmasa më të mëdha ku djali im dhe unë sot gjatë ditës jemi paraqitur edhe në stacionin policor Mitrovicë”, ka shkruar ajo.

Kjo nënë ka shkruar po ashtu se kujdestarja e klasës ia ka larguar djalin nga klasa, pavarësisht, sipas saj, premtimeve se do të largojë fëmijën problematik.

E edhe pas kësaj, siç ka shkruar llogaria me emrin Valbona Krasniqi, i biri i saj është përballur me dhunë fizike nga i njëjti fëmijë problematik dhe disa të tjerë. Ajo ka thënë se si pasojë e traumave djali i saj nuk ka shkuar në shkollë.

“Ata sot e shantazhuan se im bir duhet t'ua mbaj cigaret elektrike në çantën e tij dhe me rrefuzimin e djalit tim ata e goditen, iu hudhen mbi 10 fëmijë të tjerë sipër duke e shtypur derisa volli”, ka shkruar më tej nëna.

Krasniqi po ashtu ka thënë se pas ankesës dhe takimit me prindër, i është drejtuar privatisht drejtori i shkollës me fjalët: “A je e vetëdijshme me kë po rrokesh, janë familje problematika”.

“Nga kjo kam ardhë në përfundim se prindërit e fëmijës dhunues janë të fortë edhe kanë imunitet edhe përballë ligjit. Më këshillojnë të heshti dhe ta largojë djalin nga ajo shkollë... Me çfarë, me cila financa unë tani t'ia siguroj fëmijës tim librat, pasi siç e dijmë shkollat punojnë me libra e botuesve të ndryshëm. Ndjes por, nuk heshti më, për fëmijën tim të cilin e rrita me shumë mund, pa strehim dhe me shumë peripeti tjera. Jo, më nuk heshti!” ka shkruar ajo.

Ndërkaq drejtoresha e Arsimit në këtë Komunë, Drita Kadriu, ka thënë për KOHËN, se rasti është “nën menaxhimin e shkollës dhe Drejtorisë së Arsimit.

“Familja ballafaqohet me disa probleme sociale, shkolla ka ofruar mbështetje, por fëmija i ardhur në Mitrovicë me nënë, së fundmi qe 5-6 muaj, nuk po mundet me u adaptuar dhe tregon shenja të sjelljeve jo të rregullta”, ka thënë ajo, kur është pyetur nëse DKA-ja është në dijeni të rastit. Ajo po ashtu ka thënë se nëse konfirmohet rasti “do të merren masa për të gjitha palët e përfshira”.

Në mbrëmje ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo ka akuzuar Komunën e Mitrovicës që “ka dështuar ta trajtojë këtë rast, duke mos i dhënë rëndësinë që meriton”.

“Ky është një dështim institucional që nuk mund të kalojë pa dhënë përgjegjësi. Ftoj institucionet përgjegjëse ta trajtojnë me prioritet këtë rast dhe të ndërmarrin veprimet e duhura. Ministria që drejtoj, në bazë të kompetencave që bart do ta angazhojë menjëherë Inspektoratin e Arsimit që ta trajtojë këtë rast”, ka shkruar ajo në Facebook.

Nagavci ka thënë se “fëmijët tanë meritojnë një mjedis shkollor të sigurt dhe të mbrojtur, jo një vend ku dhuna normalizohet për shkak të mosveprimit të institucioneve lokale”.

Ajo ka vazhduar tutje me akuza ndaj komunës duke thënë se rastet si ky do të parandaloheshin “nëse komunat do të bënin punën e tyre”.

“MAShTI ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për punësimin e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla. Konkretisht, nga 28 pozita të buxhetuara për Mitrovicën, kjo komunë ka punësuar vetëm 1. Është koha e fundit që të veprohet. Institucionet nuk mund të fshihen pas justifikimeve, kurse përgjegjësit duhet të japin llogari për mosveprim. Secili fëmijë në Kosovë meriton siguri dhe mirëqenie në shkollë – dhe këtë do ta garantojmë me çdo kusht”, ka shkruar ajo.

E Policia e Kosovës, e pyetur për këtë çështje, ka thënë për KOHËN se “sot në orët e pasdites, policia në Mitrovicë, nga ana e ankueses  ka pranuar një informacion lidhur me shqetësimin e saj për fëmijën e saj në raport me shkollën ku vijon mësimin”.

“Bazuar në kompetencat dhe autorizimet policore  në koordinim edhe me institucionet relevante  për trajtimin e të  miturve policia ka filluar të trajtojë këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Policisë.