Projekti “Fshati i lumtur” në Gjilan ka mbetur i pashfrytëzuar që prej tre vjetësh, kur në të përfunduan punimet ndërtimore. Kompleksi i nisur më 2017 ishte i destinuar për strehimin e fëmijëve të braktisur e disa grupeve të ndjeshme të shoqërisë. Përfaqësues të partive opozitare kritikuan qeverisjen lokale për mosfunksionalizimin e tij, dhe thanë se vitin e shkuar edhe u provua që kompleksit t’i ndërrohet destinimi. E në Komunën e Gjilanit nuk ofruan përgjigje lidhur me këtë
Kompleksi me 9 objekte, që u dedikohet fëmijëve të braktisur, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara e viktimave të dhunës në familje, qëndron i pashfrytëzuar prej tre vjetësh në Lagjen e Zabelit në Gjilan.
I nisur më 2017, kur Qeveria e Kuvajtit investoi afro 3 milionë euro për ndërtimin e kompleksit të njohur si “Fshati i lumtur” apo “Fshati Social”, përfundoi para tre vjetësh, porse që atëherë nuk u funksionalizua asnjëherë.
Përfaqësues të subjekteve opozitare në Gjilan e akuzuan udhëheqjen komunale se nuk ndërmori asgjë në funksion të funksionalizimit të kompleksit.
Në Lidhjen Demokratike, parti që qeverisi me Komunën në kohën e nisjes së projektit, thanë se ekzekutivi aktual vitin e shkuar tentoi edhe t’ia ndryshonte destinimin.
“Qeverisja e tanishme e ka zgjedhur mënyrën më të lehtë, domethënë me ia dhënë dikujt këtë objekt, edhe ka lindur një kërkesë nga Bashkësia Islame që këtë objekt, këtë investim që e kemi quajtur ‘fshati i lumtur’ me ia dhënë në shfrytëzim Bashkësisë Islame për disa kërkesa e nevoja të tyre, si konvikte, që janë disa rrjete konviktesh në Kosovë që i organizojnë, mejtep dhe kështu me radhë”, ka thënë Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve komunalë të LDK-së në Gjilan.
E në Partinë Demokratike, që deri vjet bashkëqeverisi me Vetëvendosjen në Gjilan, vlerësuan se kompleksit i mungojnë gjërat elementare për funksionalizim.
“Patëm diskutuar se pse nuk po funksionalizohet tash – të paktën të bëhet shtëpi e pleqve, për të moshuarit pa përkujdesje, por konsideroj që kushtet e nevojshme nuk janë aty, sepse mungojnë liftet, mungojnë hapësirat e nevojshme për njerëz në nevojë. Për shembull, janë korridore të ngushta të cilat nuk mund të kalohet me karroca”, ka thënë Aurora Osmani-Buca, nënkryetare e degës së PDK-së në Gjilan.
Në Kuvendin Komunal thanë se vitin e kaluar ndanë 200 mijë euro për funksionalizimin e qendrës, që përfshin një kopsht të fëmijëve, një qendër mjekësore, shtëpi të kulturës, konvikt për të moshuar, nëna e fëmijë, dhe një shkollë fillore e të mesme.
“Në shtator të vitit të kaluar ne e kemi pasur një kërkesë, iniciuar nga Bashkësia Islame e sponsorizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan që këtë qendër t’ia dhurojmë Bashkësisë Islame në Gjilan, gjë që në votimin në Asamble Komunale kjo nuk ka kaluar dhe në këtë rast prapë ka mbetur që kjo qendër të funksionalizohet nga organet komunale dhe më pastaj t’iu dorëzohet organeve kompetente qendrore”, ka thënë Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit Komunal.
Në seancën e 18 shtatorit të Kuvendit Komunal, kryetari Alban Hyseni pati thënë se kostoja e mirëmbajtjes përbën barrë të lartë për Komunën dhe se përzierja e kategorive të ndryshme brenda një kompleksi mund të krijojë problem.
Përfaqësues të ekzekutivit nuk i janë përgjigjur kërkesës së KOHËS për të marrë një qëndrim përkitazi me këtë çështje.
Në këtë institucion, ndonëse premtuan, nuk ofruan përgjigje as me shkrim.
Sipas partive opozitare, marrëveshja me donatorin përfshinte mbulimin e kostos së mirëmbajtjes nga donatori edhe për dy vjet, e që më pas projekti të kalonte nën menaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë.