Arbëri

Në veri vazhdojnë të qarkullojnë vetura me targa ilegale të Serbisë dhe pa letra ngjitëse

Qindra vetura me targa që mbanin regjistrimin KM qarkulluan lirshëm këtë të hënë rrugëve kryesore të Mitrovicës Veriore, të banuar kryesisht me serbë. Qytetarët e kësaj pjese nuk i janë bindur vendimit të Qeverisë, për t’i ndërruar targat ilegale të Serbisë me ato që i lëshon shteti i Kosovës.

Duke filluar nga dita e nesërme Policia e Kosovës do të nisë së qortuari veturat të cilat mbajnë këto targa me rekomandimin që ato të shkojnë në qendrat e regjistrimit për t’i konvertuar targat ilegale në targa legale RKS.

Shumë prej serbëve të cilët qarkullojnë me këto vetura thonë se nuk brengosen për gjobat ose vërejtjet që mund t’i marrin nga 1 nëntori.

“Nuk ka asgjë nga këto dënime. Nuk e kam regjistruar dhe as nuk do ta regjistroj”, tha një qytetar.

“Si mund t’i heqin tabelat që janë valide në gjithë Evropën. Unë gjysmën e Evropës e kam kaluar me këto tabela. Pse t’i heq, pra jo nuk do t’i regjistroj”, tha qytetari tjetër.

“Shihet se këtu populli shumë pak pyetet për këto çështje në mënyrë që ne të vendosim vetë për veten tonë. Shihet që kjo është vetëm çështje e politikës, por do të shohim se çka do të ndodh”, tha qytetari.

Me vetura që mbajnë targa ilegale lëvizin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

E se interesimi për t’i konvertuar këto tabela në legale është tejet i ulët e tregon edhe numri simbolik i targave të konvertuara deri më tani në qendrat e regjistrimit të automjeteve.

Nga rreth 9 mijë vetura me targa ilegale, sa vlerësohet se janë në qarkullim, për dy muaj gjithsej 23 sosh i kanë konvertuar ato në RKS.

“Në të gjithë qendrat komunale të automjeteve numri i veturave të regjistruara nga targat ilegale në ato legale është 23 automjete. Nëse e marrim me regjione vetëm në regjionin e Mitrovicës janë 10 automjete, mirëpo vetëm gjatë 5 ditëve të fundit janë të regjistruar 11 automjete. Ne vazhdojmë dhe më tutje më regjistrimin e automjeteve”, tha Ardita Ademi, udhëheqëse e Qendrës për Regjistrim të Veturave në Komunën e Mitrovicës.

Përveç numrit të madh të targave ilegale të lëshuara nga Serbia, këtë hënë në veri janë parë edhe shumë vetura të cilat i kishin larguar letrat ngjitëse të cilët vendosen në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes dy vendeve.

E, rrugëve gjithandej janë parë fletushka e mbishkrime të cilat bënin thirrje për moskonvertimin e targave në RKS.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme përmes një njoftimi ka bërë të ditur se lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS do të vlejnë deri më 31 mars 2023, ku përfshihen taksat doganore, administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifa për targa dhe tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjetit.

Pas 21 nëntorit, periudhë kjo kur përfundon dhënia e qortimeve, policia do të nisë të shqiptojë gjoba të cilat arrijnë deri në shumën prej 150 euro. Ndërkaq, pas datës 21 prill 2023, brenda Kosovës nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve me targa ilegale.