Çmimet e larta të produkteve ushqimore po konsiderohen si brenga kryesore e konsumatorëve, sidomos e pensionistëve. Por të kënaqur nuk shprehen as shitësit. Kjo situatë e krijuar, sipas njohësve ekonomikë, është pasojë e shkallës së lartë të inflacionit, e cila nuk po përcillet me rritje proporcionale ekonomike
Në Tregun e Gjelbër në Prishtinë të gjithë janë të pakënaqur – si konsumatorët me çmimet e larta të produkteve, ashtu edhe shitësit për shkak të qarkullimit të vogël.
Drita Kazazi, qytetare nga Prishtina, thotë se për blerjen e produkteve ushqimore nuk po i mjafton pensioni.
“Këto çmime nuk po mundemi t’i përballojmë me pension. Më të shtrenjta po janë produktet kryesore, specat, domatet; nuk po zbresin çmimet hiç. Janë të domosdoshme këto”, ka thënë Kazazi.
Të njëjtin hall e ka edhe qytetari tjetër, Skender Jashari. Ai i konsideron si vështirë të përballueshme çmimet.
“Vështirë është për pensionistë, jashtëzakonisht vështirë, pensionet e vogla, çmimet janë të larta, s’kemi çfarë të bëjmë...Çdo artikull që është në treg nevojitet, por nuk po ka mjete t’i blejmë...Por, ta shikojmë pasi ta marrim pensionin nëse mund të blejmë diçka”, ka theksuar ai.
Pavarësisht ankesave të blerësve për çmimet e larta, të pakënaqur janë edhe tregtarët që po i shesin këto produkte.
Ata thonë se ka rënë fuqia blerëse.
“Ka rënë shumë, shumë. Çdo vit e më shumë po bie. Nuk ka njerëz, janë shpërndarë në të gjitha anët. Më shumë ka shitës se blerës”, ka thënë Ismet Baliu, i cili shet perime në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.
Këtë situatë me çmime, profesori Median Hashani e ka vlerësuar si jostabilitet ekonomik.
Sipas tij, në këtë ngërç ekonomik po ndikon edhe mungesa e investimeve kapitale nga shteti, që, sipas tij, do ta ngjallte tregun.
“Me një rritje ekonomike 3.9%, ndërsa nëse e matim inflacionin që është mesatar për 3 vjet ka kaluar 29%, tregon që kemi një destabilitet buxhetor dhe ekonomik. Qytetarët tani janë duke marrë kredi për ta mbuluar vakumin e inflacionit, në mënyrë që të kenë jetën siç e kanë pasur para 3 vjetësh”, është shprehur Hashani.
Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Sejdi Rexhepi, thotë se shteti nuk po e kryen detyrën në parandalimin e abuzimit me çmimet.
“Ekziston një lloj koordinimi i çmimeve dhe shteti në këtë rast ka mundur më shumë, që relativisht është vështirë që të luajë rolin e vet në kuptimin e kontrollit të këtyre mundësive. Shohim çdo ditë që Inspektorati nuk e kryen punën e vet, kur shikojmë çmimet nëpër makete, është i vendosur çmimi me zbritje, në ndërkohë që produkti i vendosur te çmimi ka një çmim krejt tjetër”, ka thënë Rexhepi.
Kosova, por edhe i gjithë kontinenti evropian po përballet me një shkallë të lartë inflacioni, që fillimisht u shkaktua nga efektet e pandemisë, e më pas nga lufta në Ukrainë.
Agjencia e Statistikave e Kosovës ka njoftuar se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në korrik të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.