Arbëri

Në Shqipëri ngordhin mbi 300 mijë pula për dy ditë

Mbi 300 mijë shpendë kanë ngordhur nga laringo-trakei dhe gripi i shpendëve H5N8 në dy ferma mëdha në zonën e Durrësit, qëkur u paraqitën këto sëmundje të dielën (20 mars), kanë bërë të ditur autoritetet në Shqipëri të martën.

E sipas tyre, kjo sëmundje ka nisur të shfaqet edhe në Lushnjë, ku 60 pula kanë ngordhur në një fermë në fshatin Grabian.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, në Shqipëri janë afro 5 milionë pula. Të dhënat u referohen fermave të pulave për prodhim të vezëve.

Vetëm në rajonin e Durrësit ku dhe janë të përqendruar pularitë e prekura nga kjo sëmundje, janë rreth 1 milion pula.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë nga sëmundja e laringo-trakeit dhe gripit të shpendëve deri më tani kanë ngordhur 300 mijë pula, çka përbën 6% të totalit në të gjithë vendin dhe 30 % në qarkun e Durrësit, i cili është edhe furnizuesi kryesor.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në Shqipëri prodhohen mesatarisht 861 milionë vezë në vit. Nga llogaritë e bëra, rezulton se një shpend në fermë prodhon mesatarisht 171 vezë në vit. Dhe duke qenë se kanë ngordhur deri më tashi rreth 300 pula, numri i vezëve “të munguara në treg” llogaritet në afro 51 milionë përgjatë këtij viti.

Të hënën Ministria e Bujqësisë bëri me dije se janë marrë masat në karantinimin e fermave të prekura dhe se sipas saj, situata është nën kontroll.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka ndaluar përkohësisht importimin e vezëve nga femrat e Durrësit.