Sipas Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri, ruajtja dhe menaxhimi i duhur i rezervës ujore në kaskadën e Drinit janë garanci për sigurinë energjetike të këtij shteti. Por kjo nuk ka ndodhur nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Pavarësisht se prodhimi i energjisë elektrike gjatë vitit 2021 rezultoi 47.5 për qind më i lartë se mesatarja e prodhimit në 13 vjetët e fundit, ndërsa prurjet mesatare në kaskadën e Drinit gjatë janarit të vitit 2021 arritën 1.271 metra kub për sekondë, më të lartat të regjistruara që nga viti 1990, Qeveria shqiptare në muajin tetor të vitit 2021 e shpalli emergjencën e furnizimit me energji elektrike
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në Shqipëri e ka bërë përgjegjëse Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për keqmenaxhimin e kaskadës së Drinit, e cila mbulon mesatarisht 70 për qind të konsumit të energjisë elektrike të Shqipërisë. Sipas ERE-së, ruajtja dhe menaxhimi i duhur i rezervës ujore në këtë kaskadë janë garanci për sigurinë energjetike të Shqipërisë.
Por kjo nuk ka ndodhur nga KESH-i. Pavarësisht se prodhimi i energjisë elektrike gjatë vitit 2021 në Shqipëri rezultoi 47.5 për qind më i lartë se mesatarja e prodhimit në 13 vjetët e fundit, ndërsa prurjet mesatare në kaskadën e Drinit gjatë janarit të vitit 2021 arritën 1.271 metra kub për sekondë, më të lartat të regjistruara që nga viti 1990, Qeveria shqiptare në muajin tetor të vitit 2021 e shpalli emergjencën e furnizimit me energji elektrike. Vendimi u argumentua me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, duke qenë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po importonte energji, pasi prodhimi vendës nuk i plotësonte nevojat e konsumatorëve.
Por të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) mbi situatën në kaskadën e lumit Drin flasin për situatën tejet të favorshme në pjesën e parë të vitit 2021 dhe përmbysjen e shpejtë të treguesve brenda pak muajsh, duke theksuar rëndësinë që ka planifikimi i prodhimit dhe i ruajtjes së rezervës energjetike, si një garanci për sigurinë energjetike të Shqipërisë. Në bazë të raportit të Entit Rregullator të Energjisë, deri në muajin maj 2021 niveli i ujit në Liqenin e Fierzës ka qenë afërsisht në vlerat maksimale historike. Është evidentuar edhe rezerva energjetike në fundin e muajit maj 2021, e cila ka rezultuar në nivelin maksimal prej 1520 GWh dhe në fund të muajit gusht kjo rezervë energjetike ka shkuar në 628 GWh, duke shënuar një rënie të ndjeshme dhe të shpejtë.
Por për një periudhë 5-mujore, nga qershori deri në tetor, rezulton në ulje të vazhdueshme, duke e çuar nivelin në 6-mujorin e dytë të vitit nën nivelin mesatar të 30 vjetëve të fundit.
Sipas raportit të ERE-së, “mesatarja shumëvjeçare e nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës është një tregues kryesor në planifikimin e prodhimit të energjisë elektrike në kaskadën e lumit Drin”.
“Ruajtja dhe menaxhimi i duhur i rezervës hidrike në kaskadën e lumit Drin janë një garanci e shtuar për sigurinë energjetike të vendit tonë”, theksohet në raportin e Entit Rregullator të Energjisë.
Kjo rënie e rezervës, por edhe e nivelit të Liqenit të Fierzës, kanë ekspozuar Shqipërinë ndaj importeve të energjisë, që për shkak të çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare u kanë kushtuar financave publike miliona euro.
Blerjet e energjisë kanë filluar në muajin qershor të vitit 2021, ndërkohë që sipas përllogaritjeve në total për importin e energjisë gjatë vitit 2021 janë shpenzuar rreth 285.5 milionë euro. Çmimi me të cilin është siguruar energjia në vitin 2021 sipas ERE-së është 205.1 euro/mwh.
Kaskada e Drinit mbulon mesatarisht 70 për qind të konsumit të energjisë elektrike të Shqipërisë. E rezervat energjetike në këtë shtet në mars të këtij viti kanë arritur në nivelet më të ulëta historike - kaskada e Drinit ka pasur vetëm 361 GWh rezervë.
Alarmi për situatën energjetike në Shqipëri është artikuluar hapur edhe nga kryeministri i vendit Edi Rama, i cili ka paralajmëruar edhe masa për të kursyer energjinë. Situata, sipas Ramës, do të ketë kosto jo të vogël në sigurimin e energjisë, ku deri në muajin e katërt të vitit pritet që vlera e subvencioneve për të siguruar energji të shkojë në 320 milionë euro, shifër rekord në historikun e Shqipërisë.
Ndërkaq edhe kreditimi i sektorit të energjisë dhe i furnizimit me gaz në Shqipëri kanë prekur rekorde. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë në lidhje me kreditimin sipas aktiviteteve tregojnë se shifrat e huas së re për shkurtin tregojnë se kredia për sektorin e energjisë elektrike, furnizimit me gaz, avullit dhe ajrit të kondicionuar ka prekur nivelin më të lartë historik krahasuar me muajt shkurt të 7 vjetëve të fundit. Për këtë sektor, kredia e re gjatë muajit të dytë të vitit është fiksuar pranë 11.3 milionë euro. E më parë ky rekord fiksohej pranë 4.5 milion eurosh. Krahasuar me mesataren historike të muajit shkurt, kredia e re për sektorin gjatë vitit 2022 është mbi 6 herë më e lartë.