Arbëri

Në Qeveri të bindur për përfitim nga Plani i Rritjes, edhe “pa progres në dialog”

Në BE kanë theksuar se për të dy vendet kusht për të përfituar nga ky plan është angazhimi konstruktiv në dialog, për të cilin do të kërkojnë opinion edhe nga përfaqësuesi e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Por zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se s’ka dilema që disbursimi i mjeteve do të ndodhë, duke mos pritur që ndarja e tyre të kushtëzohet me dialogun

Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë progres në dialog për të përfituar nga Plani i Rritjes, thonë në Bashkimin Evropian.

Në BE theksojnë se për dy vendet kusht për të përfituar nga ky plan është angazhimi konstruktiv në dialog, për të cilin do të kërkojnë një opinion edhe nga përfaqësuesi e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Zyrtarët e BE-së nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse takimi i javës së ardhshme në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel do të jetë vendimtar për arritjen e progresit në dialog, rrjedhimisht edhe dhënien e dritës së gjelbër për ndarjen mjeteve për Kosovën dhe Serbinë.

Por zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë për KosovaPress se s’ka dilema që disbursimi i mjeteve do të ndodhë, duke mos pritur që ndarja e tyre të kushtëzohet me dialogun.

“Fqinjësia e mirë është kriter për secilin vend që synon integrimin në BE. Kosova aty ka treguar konstruktivitet në secilën platformë. Qoftë në dialogun me Serbinë, apo në organizatat rajonale dhe në marrëdhëniet bilaterale me vendet e rajonit. Nuk pres që do të pritet diçka e tillë. Vendimi është që nuk ka ndonjë dilemë se këto mjete, ky 7 për qind, këta 32 milionë që do të disbursohen në dhjetor është në dilemë të ndonjë hapi tjetër që ka mbetur për t’u bërë. Ajo çka është dashur të bëjë Kosova në kuptimin e hapave që parashihen është bërë tashmë. Disbursimi besoj se do të ndodhë dhe s’ka dilemë për këtë”, ka thënë Ahmeti.

Edhe ish-ministri i Jashtëm dhe deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, e cilëson si të gabuar kushtëzimin e mundshëm të ndarjes së mjeteve nga plani i rritjes me progresin në dialog.

“Nuk e di a do të kushtëzohet që kjo shumë...të kushtëzohet me ndonjë veprim nga ana e Qeverisë së Kosovës. Nëse ndodh një gjë e tillë, do të ishte e gabuar. Unë mendoj se kushtëzimi evropian sa i takon edhe anëtarësimit në Këshill të Evropës nuk ka qenë i drejtë. Përkundër që jam në opozitë iu gëzohem sukseseve të Kosovës”, ka theksuar ai.

I gjithë plani i rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor është 6 miliardë euro, 4 miliardë euro do të ndahen në formë të kredive, kurse dy miliardë euro pa kthim.

Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro.

Mbi 250 milionë euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Rrjedhimisht, Kosovës do t’i paguheshin 7% e mjeteve si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro.