Qendra e votimit në shkollën “Sveti Sava” e cila është qendra më e madhe në Mitrovicë të veriut, si të gjitha qendrat tjera në komunë ka nisur procesin e votimit me rregull.
Megjithatë në këto ambiente është vërejtur fluks i qytetarëve të interesuar për të votuar.
Në disa raste nuk po respektohet distanca brenda vendvotimit.
Në këtë shkollë të drejtë vote kanë 11 mijë votues, ndërsa deri në orën 11:00 kanë votuar 1,425 qytetarë.
Sipas menaxherit të kësaj qendre, Milorad Jovanoviq, nuk ka pasur incidente dhe procesi i votimit po shkon pa ndonjë problem.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas vizitës atje tha se është i kënaqur me respektimin e masave që janë duke u bërë në këtë qytet.
{gallery}
10:18 - Azemi: Me rëndësi që ky proces të jetë i lirë e demokratik, i bëj thirrje qytetarëve të votojnë
Kandidati i PDK-së në zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Veriut, Florent Azemi, ka votuar në lagjen e Boshnjakëve. Ai pasi ka hedhur votën ka thënë se me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të lira e demokratike dhe i ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë.
“Sapo votova në pikën në lagjen e Boshnjakëve, ku jetoj e veproj. Mendoj se qytetarët duhet, sa më shumë të jetë e mundur, ju bëjë thirrje që të dalin e të votojnë. Me rëndësi është që ky proces të jetë i lirë e demokratik, të ketë vlera evropiane e demokratike. Besoj e shpresoj se do të shkojë çdo gjë në rregull. Deri tash nuk kemi pasur vërejtje, procesi po rrjedh mirë, është qetë dhe në rregull. Pritshmëritë e mia janë që ky proces me rrjedh në mënyrë demokratike, ndërsa i presim rezultatet e pastaj flasim”, ka thënë Azemi.
9:30 – Atiq: Ka pasur tendencë për ndalim të vëzhguesve në qendrat e votimit në veri të Mitrovicës
Kandidati për kryetar të veriut të Mitrovicës nga radhët e LVV-së, Erden Atiq, ka votuar në qendrën e votimit në lagjen e Boshnjakëve. Atiq ka thënë se votimet janë hapur me kohë, porse ka pasur një problem me vëzhguesit.
“Kemi pasë një problem, kemi pasë një tendencë për t’i ndaluar vëzhguesit në qendrat e votimit por është tejkaluar me intervenimin e KQZ-së”, tha ai.
Atiq pret rezultate të mira nga këto zgjedhje lokale, ndërsa apeloi për dalje në votim.
“Apeloj të gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, tha ai.
08:46 - Rakiq e Simiq thyejnë heshtjen zgjedhore, kërkojnë votën për Radojeviqin
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq dhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, kanë thyer heshtjen zgjedhore, duke kërkuar nga qytetarët e Mitrovicës së Veriut që të dalin në mënyrë sa më masive në zgjedhje e ta votojnë kandidatin e Listës Serbe, Milan Radojeviq.
Këtë e kanë thënë Rakiq dhe Simiq, në prononcim për media, pasi Radojeviq ka dhënë votën e tij.
Rakiq gjatë prononcimit ka përmendur se Lista Serbe ka përkrahjen e shtetit të Serbisë dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në mënyrë sa më masive për të votuar Radojeviqin, por ka kërkuar të respektohen masat antiCOVID.