Arbëri

Në qarkullim edhe automjete me targa serbe pa tiketa ngjitëse

Pronarët e automjeteve që mbajnë targa të Serbisë kanë vërshuar qendrat e regjistrimit të automjeteve në Kosovë, për t’u pajisur me tiketa ngjitëse, me të cilat obligohen t’i mbulojnë simbolet e shtetit serb. Por, në qarkullim ka edhe automjete me targa plotësisht të ekspozuara. E premtja është afati i fundit kur targat e këtilla duhet mbuluar. Autoritetet nuk treguan sanksionet që do t’i presin ata ngasës që s’i binden këtij afati

Një pronar veture me targa të Serbisë, lëshohej shkallëve të Qendrës Komunale të Regjistrimit të Automjeteve në Graçanicë, duke mbajtur nën sqetull një platformë të madhësisë A4, në të cilën ndodheshin katër tiketa ngjitëse. Me to duhej mbuluar dy simbole të shtetit serb që janë të gravuara në dy targat e veturës së tij.

Pasi u ul në gjunjë dhe vendosi targën e pasme në veturën e parkuar përballë kësaj qendre për regjistrim automjetesh, fillimisht e mbuloi simbolin e Serbisë të vendosur në mes të targës, e më pas edhe denominimin e këtij shteti që ndodhet i shkruar në anën e majtë të saj.

Ai refuzoi të flasë mbi këtë përvojë.

Ngjashëm bëri edhe një qytetar tjetër, i cili mbulimin e simboleve serbe në targa po e bënte brenda veturës.

Poseduesit e automjeteve me targa të Serbisë kanë afat deri të premten që t’i vendosin letrat ngjitëse në targa, konform një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia e mbërritën javën e shkuar në Bruksel.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë dhe që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, duhet të pajisen me letrat ngjitëse (stickers), të cilat duhet të vendosen mbi simbolet shtetërore në targat e tyre”, thotë Ferdinand Nikolla, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. “Letrat ngjitëse mund të merren çdo ditë në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në secilën komunë”.

Marrëveshja u bë disa ditë pasi Qeveria aplikoi reciprocitet, duke obliguar poseduesit e veturave me targa serbe që t’i mbulonin ato dhe të pajiseshin me targa të përkohshme të Kosovës. Kjo prodhoi protesta në veri, të cilat kulmuan me bllokim rrugësh.

Rrugët u liruan, vetëm pas marrëveshjes ndërmjet të dyja shteteve.

Targa të pambuluara të Serbisë shihen ende në automjete që qarkullojnë edhe në qendër të Kosovës.

Ka të parkuara në oborre a trotuare. Po ashtu, ndodhen edhe në automjete që lëvizin rrugëve, sikur një autoambulancë e strukturave paralele serbe që lëvizte në një nga rrugët e Graçanicës.

Në Polici nuk treguan se çfarë sanksionesh i presin ngasësit e automjeteve që lëvizin me targa, në të cilat ndodhen të ekspozuara simbolet e Serbisë.

E, në Ministrinë e Punëve të Brendshme thanë se sanksionet shqiptohen në bazë të ligjeve në fuqi, pa precizuar dispozitat specifike.

“Këto çështje rregullohet sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor në Kosovë, dhe masat mund të merren konform ligjit”, tha këshilltari Ferdinand Nikolla.

E, derisa të tilla sanksione nuk shqiptohen, në Graçanicë hasen tri situata.

Aty ka automjete pa targa fare. Ka të tjera që kanë targa të mbuluara, por që të përkohshmet i mbajnë të ekspozuara. E, shumica përmbajnë tiketat ngjitëse në targa, përfshirë edhe ato të Postës së Serbisë që ilegalisht vepron në Kosovë.