Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka bërë thirrje për protestë më 8 mars në Prishtinë. Me thirrjen “Kur shteti s’na mbron, revoltohemi”, synohet kundërshtimi i çdo lloj dhune ndaj grave
Me thirrjen “Kur shteti s’na mbron, revoltohemi”, kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka bërë ftesë të mërkurën, për protestë më 8 mars në Prishtinë.
Aktivistja Latra Demaçi, ka thënë se qëllimi i protestës është kundërshtimi i çdo lloj dhune kundër grave.
“Këtë 8 Mars, ejani të rizotohemi, të protestojmë e të marshojmë për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e të gjitha grave dhe vajzave. Të protestojmë për çrrënjosjen e të gjitha sistemeve të shtypjes në Kosovë dhe për të gjithë popujt. Të marshojmë të zemëruara dhe të zemëruar kundër kulturës së përdhunimit, cenueshmërisë së shtëpive dhe dhunës ndaj trupave dhe mendjeve me aftësi të kufizuara. Marshojmë për grevat si revoltë kundër kapitalizmit neoliberal”, ka thënë Demaçi.
Teksa ka bërë thirrje për t’iu bashkuar sa më shumë veta protestës, Demaçi ka kujtuar rastet e fundit të dhunës ndaj grave, e që i ka cilësuar si pasoja të një sistemi shtypës që prek gratë në çdo aspekt të jetës.
“Marsi po afron e ne rikujtohemi se lufta kundër dhunës strukturore e të përditshme vazhdon.
Rikujtohemi se dhuna ushtrohet njëkohësisht nga patriarkati, kapitalizmi racist, pabarazitë globale dhe ideologjitë që cilësojnë disa trupa dhe mendje si “të paaftë. Vetëm gjatë kohëve të fundit jemi përballur me: Vrasjen e Erona Çoklit nga ish-burri i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj në prill të vitit të kaluar, vrasjen e Gjyljeta Ukellës nga burri i saj në Pejë vetëm 5 ditë më vonë, vrasjen e gruas nga burri i saj në Graçanicë dhe tentimin për vrasje të gruas në Fushë Kosovë”, ka shtuar ajo.
E në ditën kur është paralajmëruar protesta, Policia ka njoftuar se në Malishevë është arrestuar një person me dyshimin se ka dhunuar një femër, me të cilën ishte në lidhje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
8 Marsi është dita ndërkombëtare e gruas dhe përkujton lëvizjen për të drejtat e grave të nisur 116 vjet më parë në SHBA.