Arbëri

Në pishinën e “privatizuar” të Gërmisë kanë ngecur përgatitjet

Pishina e Gërmisë ka hapur dyert, ndonëse kjo ishte paralajmëruar të ndodhte më 10 qershor. Vonesa ndodhi meqë ndërmarrja publike “Sport & Marketing” ia dha një kompanie në shfrytëzim pishinën, nën arsyetimin për më shumë mirëmbajtje. Por, në ditën e parë të hapjes, u pa ujë i papastër

Disa qytetarë kanë arritur një orë para se pishina e Gërmisë t’i çelë dyert për herë të parë sivjet. Hapja e saj u paralajmërua për 10 qershor. Vonesa ndodhi meqë ndërmarrja publike “Sport & Marketing” ia dha një kompanie private në shfrytëzim pishinën, nën arsyetimin për më shumë mirëmbajtje. Por, në ditën e parë, u pa ujë i papastër.

Mërgim Mulaj, është menaxheri i kompanisë “Sun Shine” që e ka marrë në shfrytëzim pishinën, dhe arsyeton gjendjen në të cilën ajo ndodhet.

“Për shkak të kushteve atmosferike të këtyre ditëve të fundit nuk kemi mundur të përgatitemi aq sa duhet. Sot është hapur zyrtarisht mirëpo disa nga punimet priten të finalizohen deri në hënën pra ditëve në vijim dhe gjithçka do të jetë gati”, ka thënë Mulaj. 

Në pishinë nuk është parë asnjë ndryshim i bërë që nga viti i kaluar.

Por, Mulaj thotë se disa investime janë bërë.

“Si çdo vit edhe këtë vit kompania ka vendosur që të bëjë diçka më ndryshme kemi investuar në infrastrukturë e po ashtu ka edhe disa ndryshime të tjera”. 

E, ndryshime për të mirë nuk presin përfaqësues të opozitës në Komunën e Prishtinës, të cilët kanë kundërshtuar dhënien në shfrytëzim të pishinës së Gërmisë.

“Unë jam shumë skeptik që do të shkojnë vizitorët, aty është edhe shumë papastër dhe mundemi të infektohemi edhe ne si qytetarë. Vitin e kaluar me dy herë valak u mburrshin shumë komuna. E këtë vit po thonë që nuk kemi buxhet e po jua japin nën menaxhim shokëve të tyre”, ka deklaruar Petrit Reçica, këshilltar i LVV-së. 

Një tjetër operator ekonomik është përzgjedhur fillimisht, për ta marrë në shfrytëzim pishinën e Gërmisë. Por, u tërhoq pas akuzave se pronari i kompanisë ishte i afërt me LDK-në që mban pushtetin në kryeqytet.