Një pacient i diagnostikuar me një patologji të krahut është udhëzuar t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjikal si pasojë e dhimbjeve kronike.
Por, operimin për të thyer sasinë e kalciumit të grumbulluar në krah, ai nuk mund ta kryente në Qendrën Klinike Universitare.
Pacienti që ka vështirësi edhe në lëvizje të krahut, në kushte anonimiteti, tha se në Klinikën e Ortopedisë e kanë njoftuar se ka mjekë të specializuar për këtë intervenim, por se nuk ka kushte infrastrukturore.
“Pas dështimit të përmirësimit të situatës përmes disa injeksioneve që i kam marrë gjatë vitit, si pasojë e dhimbjeve, jam udhëzuar dhe rekomanduar që t’i nënshtrohem operacionit. Kur kam pyet nëse mundem me e kry këtë operacion në QKUK, në klinikë më kanë thanë se nuk bahet, se nuk kanë kushte”, ka treguar pacienti.
KOHA ka mësuar se për t’u kryer një operim i tillë, Klinikës së Ortopedisë i nevojitet një tavolinë e posaçme, e cila mungon pavarësisht kërkesave të stafit për blerje të saj.
Një intervenim i tillë kirurgjikal në spitalet private kushton rreth 3 mijë euro.
Në Klinikën e Ortopedisë të enjten thanë se do të ofrojnë sqarime me shkrim. Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavid Gashi, njoftoi nëpërmjet e-mailit se ka autorizuar mjekun specialist për këtë patologji për të kthyer përgjigje, por as ai nuk dha një shpjegim.
Ndonëse intervenimi nuk kryhet në QKUK, siç ka mësuar KOHA, në Klinikën e Ortopedisë për mosrealizimin e këtij shërbimi nuk lëshojnë as raport konzilar, që pacientëve do t’ua mundësonte mbulimin e shpenzimeve nga Fondi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike.