Arbëri

Në mungesë të transportit fëmijët e fshatit Kufcë detyrohen të ecin 4 km për të arritur në shkollë

Fëmijët e fshatit Kufcë të Komunës së Gjilanit që nga dhjetori kanë mbetur pa transport. Për më shumë se dy muaj, ata detyrohen të ecin deri në katër kilometra për të arritur në shkollë, ndërsa prindërit shprehin shqetësimin e tyre për sigurinë e fëmijëve.

Mosmiratimi i buxhetit në Komunën e Gjilanit ka bërë që fëmijët e fshatit Kufcë të mbeten pa transport shkollor.

Që nga dhjetori, ata detyrohen të ecin deri në katër kilometra për të arritur në shkollë, pasi kompania që ofronte këtë shërbim gjatë tre viteve të fundit e ka ndërprerë atë për shkak të mos vazhdimit të kontratës nga Komuna.

Prindërit shprehen të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve, për këtë arsye, thonë se detyrohen ti shoqërojnë çdo ditë deri në shkollë.

“Qentë endacakë ka plotë. Duhet me u çu fëmija e vegjël herët, me shku e me u kthy. Qashtu ndërrimi i dytë, njëjti problem. Siguri nuk ka as me ec, nuk ka as trotuar, rruga mo e keni pa në gjendje katastrofike”, tha Muharrem Bunjaku.

“ E kena ma vështirë se çdo ditë në shkollë. Po duhet përditë me i dërgu dikush, me shku me i marrë. Po lëshohen vonë, qen po ka shumë në rrugë nuk po guxojmë me i lanë vetëm”, tha Emine Rexhepi.

Drejtori i Arsimit në Gjilan, Shpend Nuhiu, ka thënë se për shkak të mungesës së fondeve, lidhja e kontratave nuk është e mundur tash për tash.

“Ne si DKA i kemi procesuar të gjitha kërkesat në prokurim dhe ato kanë vazhduar me procedurat. Mirëpo, tani, për shkak të mungesës së buxhetit, edhe pse shumica e operatorëve janë shpërblyer me kontratë, fondet nuk janë të disponueshme si pasojë e mosvotimit të buxhetit nga partitë LDK dhe PDK në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Për këtë arsye, është e pamundur të lidhim kontratat, pasi bëhet fjalë për kontrata të mëdha”, deklaroi Nuhiu.

E ryetari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka thënë se situata është pasojë e keq menaxhimit nga ana e pushtetit lokal.

“ Tash e sa muaj është një presion që i bëhet qytetarëve dhe kuvendarëve nga ana e pushtetit me qëllimin e vetëm që ta mbulojë mos punën e madhe që kanë bo në qytet. Ne duhet ta kemi shumë të qartë që kemi të bëjmë me  një administratë shumë të dobët. Këshilltarët opozitar janë duke e ndalur gjakderdhjen financiare që po ndodh në qytetin tonë”, tha Kadriu.

Përplasjet politike mes pushtetit dhe opozitës kanë bërë që Gjilani të mbetet komuna e vetme pa e miratuar buxhetin për vitin 2025.