Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca për gjykimin e Kushtrim Hoxhës, i cili akuzohet për veprën penale “moslajmërim i grupeve terroriste”. I akuzuari nuk u paraqit në seancë, për çka gjykatësi vendosi që shqyrtimi i kërkesës për pranimin e fajësisë, të shtyhet për javën tjetër. Sipas aktakuzës, Hoxha ishte në dijeni për planin që të sulmohej përfaqësuesja e Izraelit në futboll
Ka dështuar të mbahet seanca për gjykimin e Kushtrim Hoxhës, i akuzuar për veprën penale “moslajmërim i grupeve terroriste”.
Prokurori, avokati e gjykatësi u paraqitën me kohë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por jo edhe i pandehuri.
“Ka deklaruar se ka pritur që ta marrin me polici në shtëpi”, ka thënë gjykatësi Rrahman Beqiri.
Kësisoj, nuk ishte e mundur të shqyrtohet marrëveshja për pranimin e fajësisë.
“Kjo seancë shtyhet për të martën, meqenëse mungon i akuzuari Kushtrim Hoxha”, vendosi Beqiri.
Fajësinë, i akuzuari Hoxha e ka pranuar në Prokurori, ditën kur u dorëzua.
“E ndiej veten fajtor për moslajmërimin e veprës penale të terrorizimit, ndiej shumë keqardhje dhe ndihem i penduar”, ka thënë ai në Prokurori.
Sipas aktakuzës, Hoxha ka qëndruar bashkë me grupin i cili planifikonte sulm terrorist më 2016 në një ndeshje futbolli, ku pjesëmarrëse ishte edhe përfaqësuesja e Izraelit.
“Ai ka qenë në dijeni për ekzekutimin e këtij grupi terrorist dhe veprimet përgatitore që i kanë planifikuar t’i ndërmarrin për kryerjen e aktit terrorist- sulm me eksploziv ndaj lojtarëve dhe tifozëve të kombëtares së Izraelit në ndeshjen që zhvillohej në Shkodër, në vitin 2016”, thuhet në aktakuzë.
Tutje në aktakuzë thuhet se me reagimin e organeve të drejtësisë në Kosovë dhe falë bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, një sulm i tillë ishte ndaluar, derisa i akuzuari Kushtrim Hoxha edhe pse ishte i njoftuar për këto veprime të grupit terrorist, një gjë të tillë nuk e ka lajmëruar tek organet kompetente.