Arbëri

Në mungesë të ofertuesve anulohet tenderi për insulinë humane

Ka dështuar tenderi për furnizim me insulina humane vlera e të cilit ishte mbi 55 mijë euro, ku planifikoheshin të bliheshin mbi 19 mijë copë.

Ky tender i Ministrisë së Shëndetësisë ka përfunduar në Gjykatën e tenderëve, pas ankesës së njërës prej kompanive. Ministria ka refuzuar ankesën e njërës prej kompanive, e cila deri vitin e kaluar i kishte furnizuar institucionet shëndetësore me këtë lloj insuline.

Disekuilibrim i vlerave të glikemisë, si hipoglikemi, hiperklikemi deri te ketoacidozë ishin disa arsyet që MSH-ja i ka konstatuar si gjetje të kësaj lloje të insulinës, raporton KOHA.

Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar kompanisë “Exlusiv” thuhet se nëse pacientët kanë pasur nevojë për dozë më të lartë se 40 njësi është dashur të shpohen dy herë.

MSH-ja gjithashtu ka konstatuar se është rritur numri i pacientëve me nevojë hospitalizimi, është rritur dukshëm përdorimi i saj dhe se ka pasur ankesa të deponuara nga pacientët për vështirësitë që kanë hasur gjatë përdorimit.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ku mbi 1.500 pacientë vazhdimisht marrin insulinën, thonë se rreth 95 % e pacientëve me rekomandim të endokrinologëve e marrin insulinën analoge, derisa një numër shumë i vogël e marrin insulinën humane.

“Që nga fillimi kur kemi filluar këto dy lloje gjithmonë analogjia u kon për ndoshta edhe te reagimi më i shpejtë, mirëpo pacientët edhe rekomandimi i endokrinologëve ka qenë më i madh prej tyre. Prej vitit të kaluar e kemi një sasi në stok dhe planifikimi për këtë vit ka qenë më i vogël, duke e llogaritur edhe shpenzimin kërkesat prej pacienteve që janë në rënie. Nuk kemi sasi të madhe”, ka thënë shefi i barnatores në QKMF-së në Prishtinë, Fatos Aliu.

Por, pronari i kompanisë “Exlusive” Burim Shkodra, i cili importon insulinën humane Gensulin thotë se deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare lidhur me kualitetin e produktit.


“Ne kemi me çmim më të lirë, ndërsa konkurruesi tjetër që ka tejkaluar edhe buxhetin. Por arsyetimi i MSH ka qenë puna e kualitetit të produktit. Janë thirr në kualitetin e sidomos ne pene shiringën në të cilën aplikohet insulina. Unë mendoj që as ata vet nuk e dinë ngase për këto të njëjta insulina e kanë ngrit zhurmë i kanë i bo analizat në Kroaci dhe në vitin 2018 kemi bo kontratë deri në mars të 2019 e kanë marrë mallin e kemi liferu pa asnjë ankesë. Asnjëherë nuk kemi asnjë ankesë për këtë produkt ose AKPM-së”, ka thënë ai.

KTV-ja ka kërkuar sqarime edhe nga QKUK-ja nëse ka pasur ankesa nga pacientë lidhur me përdorimin e këtij lloji të insulinës, por QKUK-ja ka thënë se nuk ka kontratë për furnizim me këtë produkt.

“Furnizimi momental me insulina është i qëndrueshëm në nivel të SHSKUK-se. Insulinën, të cilën është shfaqur interesim nuk ka kontrate valide për furnizim në SHSKUK dhe rrjedhimisht nuk është liferuar ndonjëherë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë sqarime për pretendimet e saj lidhur me problemet shëndetësore të shfaqura tek pacientët, por vetëm ka konfirmuar se është anuluar ky tender në mungesë të ofertuesve të përgjegjshëm.

“MSh e ka anuluar aktivitetin e prokurimit: “Furnizim me Insulinë nga Lista Esenciale” në mungesë të ofertave të përgjegjshme. Komisioni vlerësues i përberë nga profesionistë të kësaj fushe (Endokrinologë) e ka bërë vlerësimin e këtij aktiviteti dhe ka rekomanduar për anulimin, sepse të dy ofertat e pranuara janë të papërgjegjshme. OE "EXCLUSIVE" SH.P.K, ka dorëzuar ankesë në OSHP për këtë aktivitet dhe MSh aktualisht është në pritje të vendimit nga OSHP”

Dy vjet më parë, disa endokrinologë kanë ngritur shqetësimin lidhur me përdorimin e insulinës humane, e cila, sipas tyre, nuk ishte e regjistruar në Agjencinë Evropiane të Barnave derisa ata vetë nuk rekomandonin pacientët e tyre që të përdornin këtë lloj të insulinës.

Por, pas këtyre deklarimeve dhe përplasjeve, dy prej endokrinologëve ishin paditur nga kompania polake “Bioton”.