Arbëri

Në mungesë të hallkave elektronike, dhunuesit nuk kontrollohen nga shteti

Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave që u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ka hyrë në fuqi më 2015. Ai nuk është zbatuar, meqë autoritetet nuk i kanë siguruar hallkat elektronike që sinjalizojnë nëse dhunuesit shkelin urdhrat gjyqësorë. Në shoqërinë civile thonë se mungesa e zbatimit të këtij ligji po kontribuon në shtimin e viktimave të dhunës

Plagosja e 42-vjeçares të martën në Bresje të Fushë-Kosovës nga burri i saj, ani se kishte urdhër mbrojtjeje për të, ka ngritur alarmin tek institucionet për moszbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike, i cili është miratuar në vitin 2015. 

Në prill të 2023-tës, Qeveria i ndau 600 mijë euro për blerjen e hallkave elektronike, që do t’u vendoseshin të dyshuarve, si në rastin e burrit nga Fushë-Kosova, i cili me vendim gjykate nuk kishte të drejtë t’i afrohej viktimës. Hallka do të sinjalizonte nëse i dyshuari thyen urdhrin gjyqësor. 

Pavarësisht se në korrik të këtij viti është bërë nënshkrimi i kontratës për blerjen e hallkave, zbatimi i Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike ende nuk ka nisur. 

Institucionet fajësuan njëra-tjetrën për moszbatimin e ligjit. Ministria e Drejtësisë e bëri përgjegjëse Ministrinë e Punëve të Brendshme e në këtë institucion thonë se pyetjet duhet adresuar Policisë. E, Policia nuk u përgjigj fare. 

Në shoqërinë civile thanë se moszbatimi i ligjit po u kushton grave me jetë.

“Në mungesë të funksionalizimit të këtij ligji fatkeqësisht pothuajse i ka humbur kuptimi shqiptimit të urdhrave mbrojtës, për shkak që kundër faktit të njëjtit i janë shqiptuar nga ana e gjykatës nuk ka pasur mundësi të jenë efektivë për shkak që ka pasur pajisje për mbikëqyrje elektronike. Është si çështje me prioritet nacional dhe definitivisht ky prioritet është i vonuar. Fatkeqësisht mungesa e funksionalizimit të këtij ligji ka sjellë edhe viktima”, tha Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD. 

E si reagim ndaj ngjarjes së fundit aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan një aksion para Stacionit të Policisë në Prishtinë. Kritikuan institucionet për neglizhencë ndaj veprimeve të dhunshme. 

“Shteti vazhdon t’ua mbajë anën dhunuesve e vrasësve, duke i amnistuar e duke e mirëmbajtur patriarkalizmin. Ne e kthejmë gishtin kah policia, prokuroria e gjykata të cilat në vazhdimësi po tregon që ky zinxhir është patriarkal, i dhunshëm dhe armik i grave”. 

Këshilli Gjyqësor bëri të ditur se në gjashtë muajt e parë të këtij viti gjykatat kanë lëshuar 587 urdhra mbrojtës tek të cilët do të duhej të aplikohej mbikëqyrja elektronike, ndërkaq vitin e kaluar 1 mijë 184 të tillë. 

Byzylyku apo hallka elektronike është paraparë të vendoset në kyçin e këmbës së të pandehurit dhe të dërgojë sinjale në sistemin qendror të gjurmimit, nga ku monitorohet nëse personi i caktuar del jashtë perimetrit apo hapësirës së lejuar nga gjykata.