Nuk është mbajtur të premten seanca e shqyrtimit kryesor ndaj ish-gardianit Gavrilo Milosavleviq, pasi që ka munguar një dëshmitar i propozuar nga mbrojtja e tij. Prokuroria ka insistuar se në procesin gjyqësor është vërtetuar që Millosavleviqi, në bashkëkryerje me gardianët e tjerë serbë, kanë kryer vrasje masive në burgun e Dubravës
Është shtyrë seanca e shqyrtimit kryesor për të akuzuarin për krime lufte, Gavrillo Milosavleviq, shkaku i mungesës së dëshmitarit Binak Bujupaj, i cili është propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit.
Sipas aktakuzës, Milosavleviqi në majin e vitit 1999 në bashkëkryerje me gardianë të tjerë serbë kanë kryer vrasje masive në Burgun e Dubravës.
Mosprezencën e dëshmitarit Bujupaj në sallën e gjykimit e ka njoftuar kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili.
“Binak Bujupaj ka qenë i ftuar edhe për seancën e djeshme, por nuk është paraqitur, edhe pse gjykata nuk posedon prova që ai e ka pranuar ftesën. Por në bisedë e sipër dje me avokatin, tha që do të tentojë ta sigurojë, por ai siç shihet nuk është i pranishëm në sallë”, ka thënë ai.
E për këtë, avokati Dejan Vasiq, i cili e mbron të akuzuarin, ka kërkuar që seanca të shtyhet.
“Në një afat shumë të shkurtër do t’i drejtohem gjykatës nëse është e mundshme që me telefon ta kontaktoj këtë dëshmitar. Nëse nuk do të kem sukses, do të heqim dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari”, ka thënë ai.
Avokati Vasiq ka propozuar dëgjimin edhe të një dëshmitar tjetër, Asllan Visoqi.
Sipas tij, familja Visoqi ka pasur mosmarrëveshje me familjen e Milosavleviqit para luftës dhe se ai nuk është hakmarrë në luftë. Avokati Vasiq ka thënë po ashtu se i ka ofruar prova prokurorisë, por që nuk ia ka dorëzuar gjykatës.
E prokurori special, Ilir Morina, nuk e ka kundërshtuar propozimin, por ka thënë se provat janë jorelevante për procesin gjyqësor.
“Fakti që nuk i kemi listuar në aktakuzë, nuk do të thotë që nuk janë pjesë e shkresave të lëndës. Nuk i konsiderojmë prova që kanë të bëjnë me objektin e aktakuzës – krime lufte kundër popullsisë civile”, ka theksuar Morina.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, i pandehuri Milosavleviq më 22 maj të 1999-s ka marrë pjesë në vrasjen e 109 të burgosurve në Dubravë dhe në plagosjen e 108 të tjerëve.
Nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth një mijë shqiptarë ndodheshin në Burgun e Dubravës. Aty forcat serbe kanë kryer njërën nga masakrat më të mëdha në Kosovë, duke vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe duke i lënë të plagosur më shumë se 300 të tjerë.
Masakra në Burgun e Dubravës është cilësuar edhe më herët nga përfaqësuesit politikë në Kosovë si një nga krimet më monstruoze, për të cilin ende askush nuk është gjykuar.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-1999 janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.