Dhjetëra fëmijë me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime që i merrnin në qendrën “Handikos” në Gjilan, në mungesë të fondeve. E për të njëjtën arsye është mbyllur tërësisht Shoqata e të Verbërve në Gjilan, ku merrnin shërbime rreth 100 veta në muaj
Jara Kqiku, 8-vjeçare, ka mbetur qe një muaj e gjysmë pa shërbimet fizioterapeutike që merr në qendrën e “Handikosit” në Gjilan për t’i parandaluar deformimet e mëtejme të trupit.
Prindërit kanë drojë se gjendja e saj do të përkeqësohet nëse “Handikosi”, që i ndali shërbimet për mungesë të mjeteve financiare, nuk i kthen ato së shpejti.
Mundësi për trajtim privat familja nuk ka.
“Ne nuk kemi mundësi diku tjetër me e çu, këta e kanë këqyrë pa kurrfarë interesi hiç, tash kjo po ka pak probleme se u pat mësuar me ato trajtime e sene e tash po e ka atë mungesë, po e ka atë mungesë”, ka thënë Zenun Kqiku, prind.
Shoqata “Handikos” prej muajit maj ka mbetur pa financim e për pasojë prej një muaji e gjysmë i ka ndalur krejtësisht shërbimet, pa të cilat kanë mbetur 40 fëmijë në Gjilan.
Shoqata nuk ka mundësi të paguajë stafin.
Fatmir Shurdhani, menaxher i “Handikosit” në Gjilan, që financohet kryesisht prej projekteve, e fajëson edhe nivelin qendror e edhe atë lokal që nuk kanë reflektuar.
Sipas tij, Komuna ka mbështetur projektet e shoqatës prej 2005-s.
“Nuk ka parashikim të buxhetit për këtë vit për subvencione për organizatat që ofrojnë shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara. Unë nuk e di qëllimin pse, pse nuk janë paraparë. Për këto shërbime Komuna na ka mbështetur që nga viti 2005”, ka thënë Shurdhani.
E për mungesë të mbështetjes financiare, Shoqata e të Verbërve në Gjilan prej dy javësh e ka mbyllur tërësisht zyrën, ku merrnin shërbime 70 deri në 100 veta në muaj.
“Nuk jepen shërbime se shërbimet e kanë një kosto edhe ato zyrtarët duhet sado pak të stimulohen, komuniteti që vjen aty duhet t’i rimbursohet transporti rrugor”, ka thënë Bajram Spahiu, drejtor i kësaj shoqate.
Për subvencionimin e këtyre dy organizatave Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar në mars të këtij viti ndarjen e rreth 40 mijë eurove për to.
Nga shoqatat është akuzuar kryetari i Komunës, Alban Hyseni, për moszbatim të vendimit.
“Në muajin mars Kuvendi e ka aprovuar vendimin dhe ky vendim na ka mbetur dokument për sirtar. Kryetari i Komunës nuk e njeh këtë vendim. Këtë vendim nuk e ka aprovuar vetëm një subjekt politik”, ka thënë Shurdhani.
Kritika pati edhe nga Shoqata e të Verbërve.
“Zgjidhja është ta zbatoj vendimin para se të shkojmë në Gjykatë”, tha drejtori Spahiu.
Por, në Komunë nuk folën për vendimin. E kanë fajësuar opozitën që ka shumicën në kuvend, për ngarkim të buxhetit, për çka thonë se ka qenë e pamundur të hapen thirrje publike për mbështetje të OJQ-ve.
Në përgjigjen e Komunës nuk është ofruar as mbështetje e as zgjidhje për qytetarët që kanë mbetur pa shërbime.
“Ne si institucione nuk mund të favorizojmë dhe as të diskriminojmë asnjë organizatë. Organizatat e tilla funksionojnë në bazë të projekteve që kanë dhe fondeve që realizojnë përmes tyre. Deri më tani i kemi përkrahur në forma të ndryshme, bazuar në kapacitetet tona. Tanimë shtatë të tilla, përpos përkrahjes në forma të tjera, shfrytëzojnë, pa kompensim, objektet e Komunës për realizimin e aktiviteteve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Komunës për KOHËN
E Afrim Maliqi, drejtor i “Handikosit” në Prishtinë, ka thënë se Komuna e Gjilanit është duke e shkelur ligjin me moszbatim të vendimit për ndarje të mjeteve.
“Këto janë shërbimet e vetme që ofrohen për fëmijët me aftësi të kufizuara si shërbime sociale për shkak se institucionet nuk ofrojnë shërbime të tjera, janë shërbime sociale të cilat ua lehtësojnë jashtëzakonisht shumë jetën si fëmijëve, si familjarëve të tyre”, ka thënë Maliqi.
Qendrat e “Hendikosit” nëpër komuna ofrojnë shërbime të rehabilitimit, fizioterapisë, psikologjisë, ergorterapisë, logopedisë dhe edukimit joformal.