Arbëri

Në Morinë fluks i madh i veturave që shkojnë nga Kosova në Shqipëri

Nga dita e diel, 1 maj, Shqipëria ka hequr kufizimet për COVID-19 për shtetasit që hyjnë në territorin e Shqipërisë nga çdo pikë kufitare, duke mos u kërkuar certifikata e vaksinimit.

Vendimi u njoftua pak ditë më parë në mbledhjen e Komitetit të Ekspertëve.

Në pikë-kalimin kufitar Morin-Vermicë, kryesorja që lidh Kosovën me Shqipërinë, megjithëse në vigjilje të Fitër-Bajramit është regjistruar një numër i lartë i qytetarëve e mjeteve, ndërsa policia kufitare po zbaton procedurën e përshpejtuar për të shmangur radhët.

Shtatë sportele janë në funksion të plotë, ndërsa për ditët e festave janë dhënë udhëzime të veçanta lehtësimi nga Drejtoria e Policisë Shtetit.

Për lehtësimin e masave dhe heqjen e kufizimeve, qytetarët e Kosovës, japin vlerësime pozitive.

“Po vijmë për fundjave se është përmirësuar edhe koha. Shumë mire u bë, u kry ai muhabet nuk ka më COVID”, shprehet një qytetar.

“Vijmë nga Prishtina, po shkojmë në Shëngjin. Më mirë që janë lehtësuar masat. Sot nuk na u kërkuan certifikata vaksinimi. Ne jemi një, pse ka nevojë për kufij. Më mirë, ne i kemi marrë vaksinat e për neve njëjtë është”- shprehet një tjetër.

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve në Shqipëri, bëri me dije pak ditë më parë se në kufi nuk do të kërkohet dokument vaksinimi për Sars-Cov2, dokument për testimit negativ për infeksionin Sars-Cov2 apo certifikatë shërimi nga ky infeksion.

“Bazuar në rekomandimin e Komitetit të Ekspertëve të Vaksinimit, vaksinimin me dozë të katërt të qytetarëve mbi 60 vjeç dhe atyre me sistem imunitar të kompromentuar sipas rekomandimit të mjekut të familjes. Nisur nga situata epidemiologjike, kemi vendosur heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave, por rekomandojmë fuqishëm mbajtjen e tyre në ambiente të mbyllura dhe sidomos në ato të pa ajrosura mirë. Vendosëm lejimin e muzikës pas orës 23:00 dhe rihapjen e klubeve të natës. Heqjen e detyrimit për të paraqitur dokument vaksinimi për Sars-Cov2, dokument të testimit negativ për infeksionin Sars-Cov2 apo certifikatë shërimi nga ky infeksion për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare duke filluar kjo nga data 1 maj i këtij viti”, bëri me dije prof. Mira Rakacolli, kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Ndërkohë, Kosova ende vazhdon me procedurën e masave kufizuese, duke kërkuar certifikatë vaksinimi apo teste për Covid.