Arbëri

Në Mitrovicë të Veriut digjet vetura e një polici

Digjet vetura - veri

Një pjesëtarit të policisë kufitare të Kosovës, mëngjesin e sotëm, 3 prill, i është djegur vetura në Mitrovicë të Veriut.

“Të mërkurën në orën 05:30 është djegur një veturë para një ndërtese. Nuk ka të dyshuar. Hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe hetimet janë duke vazhduar”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas burimeve të REL-it, bëhet fjalë për një polic të nacionalitetit serb, i cili nuk ishte larguar nga puna në nëntor të vitit 2022, kur serbët në mënyrë masive u larguan nga institucionet e Kosovës.

Zyrtari për informim në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, ka thënë se dyshimet janë për djegie të qëllimshme.

“Dyshohet që është djegie e qëllimshme, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe ka urdhëruar që të iniciohet rast për veprën penale "Zjarrëvënia", në bashkëpunim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore që të zbulohen kryerësit”, ka deklaruar ai për KOHËN.

Largimet e serbëve nga institucionet u nxitën nga mospajtimet që ata kishin lidhur me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me konvertimin e targave të makinave, nga ato të lëshuara nga Serbia në targa RKS - Republika e Kosovës.

Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, edhe në të kaluarën janë regjistruar raste të djegieve të makinave dhe pronave.

Muajin e kaluar u regjistruan dy djegie të pronave të serbëve në Kosovë. Një lokal, në pronësi të nënshkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, u dogj më 8 mars. Ajo, dhe autoritetet e sigurisë, thanë se zjarrvënia dyshohet se ishte e qëllimshme.

Ndërkaq, më 24 mars u dogj një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Radosavleviq ka thënë se beson që zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe se motivi ishte politik.