Arbëri

Në mars nis pastrimi nga minat i 26 hektarëve në fshatra të Mitrovicës e Graçanicës

Në Mitrovicë dhe në Graçanicë do të nisë pastrimi i zonave të minuara që nga lufta. Për këtë projekt, Ambasada e Japonisë në Kosovë ka ndarë grantin prej 198 mijë eurosh. Procesi, i cili pritet që të fillojë në mars, synon të largojë mjetet shpërthyese dhe të përmirësojë sigurinë për rreth 17 mijë banorë

Në komunën e Mitrovicës dhe në atë të Graçanicës do të zhvillohet operacioni për largimin e mjeteve shpërthyese të mbetura nga lufta e fundit në Kosovë.

Ambasada e Japonisë në Kosovë ka ndarë 198 mijë euro grant, për ta realizuar këtë proces, i cili pritet që të fillojë në muajin mars.

Përfaqësuesi i kësaj ambasade, Keisuke Yamanaka, ka thënë të enjten se me këtë mbështetje synohet që deri në vitin 2030 të largohen të gjitha minat në Kosovë.

“Qëllimi është që t’i përmirësojmë kushtet e jetesës së banorëve të zonave. Numri i përgjithshëm i përfituesve arrin deri në 976 banorë në zona specifike ku do të ketë ndërhyrje, e do të ketë ndikim të tërthortë në 17 mijë njerëz. Qëllimi është që Kosova të jetë pa mina deri në vitin 2030”, ka theksuar Yamanaka.

Përfaqësues të këtij misioni diplomatik kanë thënë se kjo është vlera më e madhe e ndarë ndonjëherë nga Granti i Asistencës i Japonisë për Projektet e Sigurisë Njerëzore Bazike.

Në ceremoninë e nënshkrimit të grantit, drejtori i Qendrës Koordinuese për Deminim nga Ministria e Mbrojtjes, Ahmet Sallova, ka thënë se kjo do të ndihmojë në zhvillimin më të mirë të Kosovës.

“Puna që po bëhet për pastrimin e zonave të minuara nuk është me rëndësi që vetëm fizikisht të largohet rreziku, por është e rëndësishme që u jepet mundësia që të zhvillohet komuniteti. Çdo partneritet, çdo bashkëpunim na sjell çdo ditë më afër në zhvillimin më të mirë të Kosovës. Megjithatë, është shumë sfiduese edhe minat përbëjnë një rrezik shumë të madh për komunitetin”, ka thënë Sallova.

Nëpërmjet këtij projekti parashihet që të pastrohen nga minat 26 hektarë tokë në fshatin Bajgorë të Mitrovicës dhe në Livagje të Graçanicës.