Kryeministri Albin Kurti deklaroi se emancipimi shoqëror është i nevojshëm për vendin, dhe se kjo duhet bërë nëpërmjet institucioneve.
Ai tha para deputetëve se duhet bërë programe që gratë t’i dalin në ndihmë njëra-tjetrës.
“Kjo kulturë solidare vërehet se është në rritje. Do të punojmë me programe që e rrisin solidaritetin, e ne si institucione duhet t’i përkrahim ato. Ne duhet të pranojmë kritikën, t’i përcjellim analizat e organizatave të grave. Vetëm emancipimi nënkupton që t’u flasim më shumë burrave sesa grave se çka është barazia. Emancipimi shoqëror është i nevojshëm,, e treta, jo vetëm përfshirje e grave, por inkuadrim i grave”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit, në Kosovë ka më tepër gra e burra të traumatizuar nga lufta sesa mendohet, derisa shtoi se janë munduar t’i adresojnë disa në forma të ndryshme.
“E pesta duhet një vetëdijësim. Kë në lloj paragjykimi se vetëm ata që janë të njëjtë, janë të barabartë. Por njerëzit janë të ndryshëm dhe mund dhe duhet të jenë të barabartë. Të gjithë të ndryshëm, të gjithë të barabartë, duhet të jetë synim serioz”, tha ndër të tjera ai.
Haradinaj: Kryeministri Kurti sot na ka mashtruar
Ndaj deklarimeve të kryeministri Kurti, reagoi deputeti Ramush Haradinaj.
“Kryeministri sot na ka mashtruar, në seancën e parë ka mundur të japë një listë të veprimeve për pozicionin e mësuesit, mundet të paralajmërojë veprime me përmirësuar pozitën e mësuesit në Kosovë. Nuk jemi duke e kuptuar pse e merr rrogën kryeministri. Jam për barazinë gjinore, sot është dashur me dhënë informata se çka ka ndodh për këtë e çka do te ndodhë në të ardhmen, të kalojmë ndonjëherë në punë bre”, tha ai.
“Në drejtim të parafolësit, disa gjëra janë të qarta. Kryeministri është i votuari i popullit, nuk është mirë që ky debat të bëhet në arenë të konflikteve të burrave kur jemi duke folur për çështje të rëndësishme”, i reagoi më pas deputetja e VV-së, Tinka Kurti.
Në seancën ku po debatohet për pabarazinë gjinore të grave në shoqëri, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, deklaroi se kjo seancë u thirr për t’i diskutuar sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë ,e veçanërisht ato që nuk janë të përfaqësuara në institucione publike.
“Kjo nuk është vetëm fenomen, por është pandemi ndërkombëtare. Këtu përfshihen edhe vrasjet e grave. Këtë vit ne e filluam me një lajm të tillë, vrasjen e një qytetareje të Kosovës nga partneri i saj. Ajo kishte kërkuar ndihmë në institucionet e drejtësisë... Femicidi është krim kundër tërë njerëzimit, mbi 76 gra janë vrarë deri më 2021, janë jetë njerëzish", tha ajo.
Tutje, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, deklaroi se shoqëria kosovare vazhdon të perceptohet patriarkale, dhe sipas saj, kjo duhet të pranohet.
“Shoqëria jonë vazhdon të perceptohet patriarkale, ne duhet të jemi të sinqertë me veten edhe duhet ta pranojmë se jemi shoqëri patriarkale. Edhe në dikasteret ku drejtojnë gratë ka shumë padrejtësi. Kjo qasje është thjesht diskriminim, në tregun e punës gratë vazhdojnë të jenë të mbipërfaqësuara me paga të ulëta”, tha Musliu.
“Diçka që është turp për një grua është turp edhe për një burrë, janë çështje që duhet të trajtohen, dhe të përmirësohen politikat gjinore, duke bashkëpunuar. Shumë e rëndësishme është edhe mbështetja e grave për njëra-tjetrën”.
Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovs, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se shifrat e grave të papuna vazhdojnë të jenë të larta, derisa sipas saj, pandemia ka ndikuar që pos shtimit të papunësisë, e ka rritur edhe më tepër dhunën ndaj grave.
“8 Marsi nisi si protestë por tek ne doli si festë, të gjitha raportet dalin se gratë e kanë të vështirë. Me letra gjithçka duket mirë por në zbatueshmëri del më e vështirë, pandemia jo vetëm që rriti dhunën por edhe humbën vendin e punës. Për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, gratë na Kosovë janë ende në shifrat e larta të papunësisë”.
Sipas deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, numri i grave të vrara viteve të fundit është shqetësues, dhe duhet marrë me këtë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar të merren masa disiplinore ndaj deputetëve që përdorin gjuhë seksiste.
“Jo rrallëherë kemi parë gjuhë seksiste të deputetëve të këtij Kuvendi dhe ministrave. Është koha e fundit që t’i japim fund këtyre veprimeve. Gjatë kohës së Qeverisë Kurti s’mbaj mend gjuhë seksiste nga kabineti qeveritar. Sot të bashkohemi për një ide që në këtë Kuvend të mos fyhet ndonjë deputete e ndonjë pjesëtar të kabinetit qeveritar. Duhet të marrim masa disiplinore për deputetët që bëjnë veprime të tilla”, ka thënë ajo.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka mbështetur gratë deputete të Kuvendit të Kosovës, të cilat po kërkojnë që Muzeu i Kosovës të krijojë një hapësirë që paraqet kontributin e grave në luftë dhe gjatë rezistencës.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Çeku ka thënë se gjatë javëve dhe muajve në vijim do të punojnë për të kuruar një përmbajtje të dinjitetshme kushtuar kontributit të grave në luftë.
17:34 - Përfundon seanca për pabarazinë gjinore të grave në shoqëri
Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën u diskutua për pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.
Rezoluta e propozuar nga Tinka Kurti lidhur me kërkesën që Muzeu i Kosovës të krijojë hapësirë përmes së cilës do të paraqitej kontributi dhe sakrifica e grave gjate luftës, do të hidhet në votim në një seancë tjetër për shkak se rezoluta do të harmonizohet me kërkesat e grupeve tjera parlamentare.
Kurti ka thënë sot se në këtë mënyrë do të edukoheshin gjeneratat e reja me një frymë barazie.