Arbëri

Në kushte të rënda pune, rrezikohen duke shpëtuar të tjerët

Zjarrfikësit

Zjarrfikësit

Emrin e kanë zjarrfikës, por lufta e tyre nuk është vetëm me zjarrin. 

Në raste vërshimesh nga shiu, qytetarëve të rajonit të Prishtinës, në ndihmë u dalin zjarrfikësit. U ndihmojnë në largimin e ujit nga shtëpitë e lokalet, e po ashtu edhe në lirimin e rrugëve nga përmbytja.

Por, puna më e vështirë për ta është kur detyrohen të shpëtojnë nga zjarri qoftë njerëzit qoftë pronat. 

Ata intervenojnë kudo, në raste zjarresh si pasojë e aksidenteve, por edhe kur zjarrvënia është e qëllimshme si në rastin e hamulloreve. 

Kushtet e punës i kanë joadekuate, por kjo nuk i pengon që të rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar atë të të tjerëve.

Esat Gashi, nga brigada e zjarrfikësve të Prishtinës, kujton një rast kur kishte besuar se ai bashkë me kolegët nuk do të dilnin të gjallë nga flakët e zjarrit. 

“Tash i bëj 22 vjet punë në këtë vend. Raste kemi pasur të ndryshme, rrezik për jetën. Pompa të benzenit, me boca të mëdha të plinit. Mundem me e veçua kur kam thënë se nuk dal i gjallë prej atij intervenimi. Ka qenë një magazinë, apo rezervarë të naftës në Dobrevë. Aty ka shpërthyer një rezervuar duke e pastruar punëtorët. Por aty ka shpërthyer një gyp që e ka furnizuar me benzinë, ka qenë Fi 110 dhe e ka  çuar flakën lartë. E aty rezervuar kanë qenë me tone larta lart. Kur kemi shkuar aty i kemi pa njerëzit duke ikur nga vendi, e unë e shifsha veten të vdekur me kolegët e mi. Zoti na ka shpëtuar dhe kemi arritur me lokalizuar zjarrin”, ka deklaruar Gashi. 

Gashi kujton momentin se si arritën të lokalizonin këtë zjarr të madh.

“Për të ardhur tek shuarja e zjarrit ka qenë një mbikëqyrës por ai nuk guxonte të vinte ta ndalte. E kemi kap për krahu e kemi ngreh zhag. E duke shkuar te vendi, ai na shante. Unë nuk e kisha gajle që po na shante, unë e kisha gajle si me ndalë zjarrin. Kur e kemi afruar afër 20-30 metra na ka treguar se cilët ventile munden me e ndalë. Me ndaljen e atyre është ndalë edhe zjarri brenda 10 minutave. Aty ka qenë në rrezik e gjithë Dobreva se le më ne”, ka shtuar ai.

Gjatë punës, pësojnë edhe lëndime të rënda trupore, të cilat i vuajnë për kohë të gjatë. 

“Gjatë shuarjes së zjarrit, personalisht e kam pësuar një aksident që i kam lënduar brinjët në anën e djathtë të trupit. Nuk kemi asnjë sigurim shëndetësor edhe shtesat që i kemi pas na i kanë ndalë. Do të thotë të gjitha i kam paguar vet dhe kam ende dhimbje”, është shprehur Gashi.

Ai thotë se ka shumë raste të rënda, ku po të mund të zgjidhte nuk do të pranonte të intervenonte për asnjë çmim.

“Një zjarrfikës që merr pjesë në një aksident rrugor, qaty nuk ndjen asgjë, por pas disa ditësh të parafytyrohen dhe të mundojnë ato pamje. Puna e zjarrfikësit nuk paguhet me para, e le më se ne e kemi një pagë që nuk mundesh me e mbajtur një familje 6 anëtarësh me 500 euro”, ka deklaruar ai.

Megjithëse e bëjnë një nga punët më të vështira, ata nuk kanë as uniforma të duhura. 
“Prapa neve i kemi rrobat tona mbrojtëse por nganjëherë ja marrim edhe inati se na rëndojnë shumë gjatë intervenimeve. Mbushen me kemikale për një kohë të gjatë. Ato nuk pastrohen me ndonjë kemikat të veçantë por në lavatriqe të thjeshtë. Pas pastrimit e kemi parë shpesh që nuk janë pastruar siç duhet. Këto e kanë një afat kohor se sa duhet t’i përdorin. Pra duhet të përdoren 5 vjet. Këto i kemi që afër 4-5 vjet. Iu ka ardhur koha me u ndërrua”, është shprehur Shala.

Në rast emergjente, i kanë vetëm 1 minutë kohë ta veshin uniformën dhe nisen në intervenim.

Shala tregon se në disa raste as vet uniforma nuk i mbron.

“Pati shpërthyer zjarri në elektrolizë, te termo-elektrana A.  Unë kam qenë në ndërrim  atë ditë dhe kam qenë me eprorin tim, Latif Zeka dhe kemi shkuar si shpëtimtarë. Në atë gjendje i kam thënë kolegut  vendose helmetën dhe më ka thënë se çfarë na mbron helmeta në këtë rast? Në ato momente e kam larguar edhe unë”, ka shtuar Shala.

Vjetërsia e automjeteve dhe numri i vogël i personelit janë sfidat tjera më të cilat përballen çdo ditë. 

“74 staf operativ ndërsa sipas rregullore kur i marrim vlerësimin e rrezikut, ndërtimet çfarë janë, objektet e rëndësisë së veçantë të gjithë faktorët merret si pikë referente dhe në rregullore thotë që për 1500 banorë 1 zjarrfikës. Do të shohim kur del regjistrimi sa na mungon por jam i sigurt që bije që vetëm Prishtina duhet të ketë 147 zjarrfikës na pra jemi 50 për qind të stafit mungesë. E ne operojmë edhe në Fushë Kosovë, Obiliq e Graqanicë”, ka thënë Gashi.

Gjatë vërshimeve të fundit në Prishtinë, gjatë 48 orëve zjarrfikësit kanë intervenuar në 30 raste.