Konflikti Izrael-Hamas ka qenë tema mbi të cilën ka pasur më së shumti publikime keqinformuese në Kosovë në periudhën korrik 2023-qershor 2024, sipas një raporti të publikuar të mërkurën nga platforma për verifikim të fakteve “hibrid.info”.
Kjo platformë në raport ka theksuar se kanë qenë 818 publikime me përmbajtje keqinformuese që i ka trajtuar në këtë periudhë. Raporti ka gjetur se dominojnë artikujt me tituj të bujshëm e mashtrues për të tërhequr klikime (“Clickbait”) me 22 për qind dhe artikujt e cilësuar si “Dezinformatë” me 21 për qind. “Clickbaits”, sipas raportit, kryesisht kanë pasur të bëjnë me artikuj në kronikën e zezë dhe temat sociale. “Dezinformatat” më së shumti kanë qenë për çështjet politike dhe ato të sigurisë.
Raporti ka përfshirë edhe publikues në gjuhën serbe, që sipas publikimit, kanë keqinformuar më së shumti për çështjet që lidhen me veriun e Kosovës, sulmin në Banjskë dhe pretendimet se Policia e Kosovës po i terrorizon serbët në veri.
Fushat mbi të cilat ka pasur keqinformata kanë qenë ato të sigurisë me 27 për qind, ato sociale me 23 dhe politike me 22.
“Tema kryesore e keqinformimit gjatë kësaj periudhe (korrik 2023 – qershor 2024) ka qenë konflikti Izrael-Hamas. Kjo temë ka nxitur publikuesit në shqip, kryesisht faqe, llogari dhe media që operojnë në mediat sociale, që të krijojnë dhe shpërndajnë më së shumti artikuj me përmbajtje keqinformuese përgjatë kësaj periudhe. Për këtë konflikt të huaj janë publikuar rreth 10% e temave, kurse, rastet tragjike renditen në vendin e dytë me 6.5%, si dhe ngjarjet në veriun e Kosovës me 6.3% në vendin e tretë. Kjo është hera e parë që veriu i Kosovës nuk është tema më e trajtuar nga publikuesit në përmbajtjet e tyre keqinformuese”, thuhet në një njoftim të kësaj platforme.
Institucionet më të përfolura nga artikujt keqinformues janë institucionet kosovare të sigurisë, si Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës lidhur me ngjarje që ndërlidhen me këto institucione të sektorit të sigurisë gjatë kësaj periudhe vjetore. Kurse, personaliteti më i përfolur është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të përmbajtjeve keqinformuese të publikuara nga publikues të ndryshëm për zhvillime kryesisht në fushën politike dhe të sigurisë në Kosovë.