Ka nisur të rrjedhë afati tremujor i ofruar nga Qeveria për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat ilegale serbe në ato të Kosovës. Që në ditën e parë aplikimin për t’u pajisur me këtë dokument të shtetit e kanë bërë 29 qytetarë nga 9 komuna me serbë. Shumica e aplikimeve ishin në katër komunat veriore
Njëzet e nëntë qytetarë serbë, që deri më tani posedonin patentë shoferë të lëshuar nga strukturat ilegale serbe, kanë aplikuar të premten për t’u pajisur me ato të Kosovës, ditën e parë të afatit të ofruar nga Qeveria për konvertimin e tyre. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ky numër është regjistruar në nëntë komuna, të banuara kryesisht me serbë.
Sipas udhëheqëses së Qendrës për Regjistrim të Automjeteve në Mitrovicën e Veriut, Ardita Ademi- Istrefi, 20 prej tyre aplikuan në veri.
“Interesimi fillimisht ka qenë qysh është procedura d.m.th. për aplikim, për me konvertu patentë shoferin. Interesimi deri tash sa i kam informacionet në veriun e Kosovës deri në 20 përafërsisht ka qenë aplikime”, ka thënë Ademi-Istrefi.
E interesimi më i madh i qytetarëve në veri ka qenë në komunën më të madhe të kësaj pjese. Deri në mesditën e së premtes 6 qytetarë serbë të Komunës së Mitrovicës së Veriut kanë aplikuar për t’u pajisur me patentë shofer të Kosovës. Në Leposaviq, ditën e parë të procesit u evidentuan 8 aplikime.
Procesin e legalizimit të dokumentacionit e cilësoi hap të rëndësishëm zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tek tregoi masat që mund të merren ndaj atyre që kapen pa patentë shoferë të Kosovës, pas përfundimit të afatit tremujor.
“Për neve me rëndësi është që pas këtij tremujori këto konsiderohen dokumente, d.m.th. veç nuk i marrim parasysh që d.m.th. konsiderojmë që qytetari nuk ka patentë shofer nëse hasim në të. .... D.m.th. ju dilni në komunikacion, e tregoni një dokument të tillë në rast se e tregoni dhe ne nuk e marrim atë parasysh dhe e kërkojmë një dokument të Republikës së Kosovës ose të ndonjë shteti tjetër si patentë shofer. Në rast se nuk ka tjetër dokument pos atij, i cili ka qenë deri më tani i strukturave paralele me e quajt kështu, atëherë ne konsiderojmë që nuk ka dokument valid të ngasjes së automjeteve dhe shqiptohet tiketa për të”, ka thënë Elshani.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësinë brenda afatit të ofruar.
“Kjo do të jetë një mundësi e mirë për qytetarët tanë që pas pajisjes me patentë shofer të Republikës sonë, të kenë mundësinë të qarkullojnë lirshëm brenda vendit tonë. Ky vendim vjen pas kërkesave të qytetarëve tanë nga radhët e komunitetit serb si dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të rritjes së sigurisë publike dhe adresimit të kërkesave të qytetarëve. I falënderoj qytetarët për bashkëpunimin dhe bëj thirrje që të shfrytëzojnë këtë mundësi brenda afatit të ofruar”, ka thënë Sveçla.
Vendimi i Qeverisë për t’u mundësuar serbëve lehtësira për pajisje me patentë shoferë të Kosovës është mirëpritur ditë më parë nga Shtetet e Bashkuara. Të premten këtë e bënë edhe Britania e Madhe, Gjermania e Italia.
Në Ambasadën britanike dhe atë italiane në Prishtinë e kualifikuan këtë si iniciativë të rëndësishme në përkrahje të integrimit të serbëve. Teksa ambasadori gjerman, Jorn Rohde, e ka quajtur si zhvillim të madh.
Afati për konvertimin e patentë shoferëve, i nisur të premten, do të zgjasë deri më 9 gusht. Sipas vendimit të Ministrisë së Brendshme, qytetarët serbë nuk do të detyrohen që t’i nënshtrohen sërish provimit për patentë shofer.