Pacientë në QKUK dhe në spitale të përgjithshme janë përballur me mungesë të ilaçeve esenciale e materialeve shpenzuese. Teksa mungesat janë evidente, në SHSKUK i kanë quajtur dezinformata raportimet në medie, duke thënë se ka furnizim të qëndrueshëm me barna
Dhjetëra qytetarë kanë demantuar versionin që ka dhënë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) përkitazi me barnat bazike. Ky institucion, nëpërmjet një reagimi publik, i ka quajtur dezinformata raportimet për mungesë të barnave.
Ndonëse SHSKUK-ja i ka mohuar mungesat e infuzioneve, ampulave e disa materialeve shpenzuese, pacientët përmes komenteve kanë treguar se në Klinikën e Pediatrisë vazhdojnë të mungojnë produktet, për të cilat KOHA ka raportuar ditë më parë.
“Saktësisht mbrëmë në Pediatri, lëre që nuk ka pasur infuzion, por nuk ka pasur as flasterë për kanillë. Jemi detyruar t’i blejmë të gjitha vetë. Do të thotë po flasim për kushtet që fëmijët tanë i kanë në këtë shekull”, ka shkruar një pacient.
Në QKUK aktualisht ka mungesë edhe të ilaçeve që kanë kosto të lartë.
Pacientët i kanë treguar KOHËS se mungon edhe imunoglobulina humane 2.5 gr., e që vetëm një dozë e saj kushton 500 euro.
“Në QKUK ka mungesë të dozave 2.5 gr., gjë që e bën të vështirë që pacienti të marrë dozën që e ka të përshkruar. Jemi lodhur me këtë situatë. Ne çdo muaj duhet të rrimë nën ethe se a ka në fund të muajit terapi, apo duhet unë si prind t’i siguroj 1.500 euro për ta blerë”, ka thënë një prind.
Mungesa ka edhe në së paku katër produkte për kimioterapi, përfshirë “Gemcitabine ampula”, “Ciklofosfamidi”, “Vinkristina” dhe “Paclitaxel”.
KOHA ka pyetur SHSKUK-në për arsyen e mungesës së këtyre produkteve, por nuk ka marrë përgjigje.
Në komunikatën e së mërkurës SHSKUK-ja ka kërkuar nga gazetarët që para se të raportojnë të marrin informata zyrtare nga ky institucion.
Po në pyetjet për mungesë të ilaçeve në Klinikën e Pediatrisë që KOHA ua dërgoi, SHSKUK-ja ktheu përgjigje tek këtë të mërkurë me 12 ditë vonesë.
Në përgjigje për disa produkte SHKUK-ja e ka mohuar mungesën, e për disa produkte të tjera thuhet se nuk patën kërkesa nga Klinika e Pediatrisë.
Në spitalet e përgjithshme ka mungesë të NaCl 0.9% të 500 ml. Kjo tretësirë sigurohet vetëm për pacientët me dializë, ndërkaq për pacientët e reparteve të tjera nuk ka asnjë në stok.