Arbëri

Në katër muajt e parë sivjet kërkesat për azil nga kosovarët në vendet e BE-së u rritën për 68%

Nga kosovarët, 68 për qind më shumë kërkesa për azil në vendet e BE-së janë shënuar në katër muajt e parë të vitit pa viza në krahasim me vitin e shkuar, ka vënë në pah Raporti për Kosovën. Në këtë dokument rreth 100 faqesh janë kërkuar veprime nga institucionet në këtë drejtim. Derisa kritika ka pasur edhe për çështje të tjera që lidhen me vizitat e zyrtarëve shtetërorë serbë në Kosovë

Saktësisht 1 mijë e 960 kërkesa për azil kanë bërë shtetasit e Kosovës në katër muajt e parë të liberalizimit të vizave, është evidentuar në Raportin e Komisionit Evropian për këtë vit.

Duke cituar të dhënat nga Eurostati, në Raportin për 2024-n thuhet se këto kërkesa kanë shënuar rritje prej 68 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

“Sipas Eurostatit, 3 mijë e 45 shtetas të Kosovës kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të BE-së në vitin 2023 (rënie prej 4% krahasuar me 3 mijë e 185 në 2022). Që nga hyrja në fuqi e regjimit pa viza për mbajtësit e pasaportës së Kosovës më 1 janar 2024 janë paraqitur 1 mijë e 960 kërkesa për azil në 27 vendet e BE-së në katër muajt e parë të 2024-s (+68% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-s)”, thuhet në raport. “Autoritetet e Kosovës kanë treguar përgjegjshmëri në monitorimin dhe adresimin e kësaj tendence. Kjo përpjekje duhet të vazhdojë duke mbajtur fushatën e komunikimit për të drejtat dhe detyrimet, kontrolle të përmirësuara në nisje dhe angazhim me shtetet anëtare më të prekura të BE-së”.

Komisioni Evropian ka vlerësuar të kënaqshëm menaxhimin e azilit nga Kosova.

Në Raport thuhet se duhet forcuar kapaciteti administrativ i Departamentit për Shtetësi, Azil e Migrim, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme;  duhet forcuar edhe kualitetin e procedurave për përcaktimin e statusit të refugjatit.

Mes të tjerash, Komisioni Evropian ka vërejtje sa i përket mosrespektimit të Marrëveshjes për vizitat zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të dyja, Kosova dhe Serbia, duhet të lejojnë vizitat e kryenegociatorit të tyre përkatës dhe të tjerëve zyrtarë qeveritarë kur shpallen dhe kryhen në përputhje me marrëveshjet, gjë që nuk ka qenë gjithmonë rasti gjatë periudhës raportuese”, thuhet në raport.

Kritika për Kosovën, por edhe për Serbinë ka pasur edhe sa i përket çështjes së personave të pagjetur. Që të dyja palët janë kritikuar për moskonstruktivitet.

“Palët inkurajohen të përmbahen nga politizimi i kësaj çështjeje humanitare dhe të fillojnë me zbatimin e deklaratës menjëherë, si hap të parë, duke rënë dakord me termat e referencës për komisionin e përbashkët që do të krijohet sipas deklaratës”, theksohet në dokument.

Krahas kësaj, në dokumentin e Komisionit Evropian vërejtje ka pasur edhe sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve të arritura që nga viti 2011-2012.

Serbisë i është kërkuar zbatimi i Marrëveshjes për Kadastër e për pranimin e diplomave, ashtu sikurse edhe për atë të IBM-it.

“Nga Serbia kërkohen përpjekje shtesë për të mbyllur rrugët ilegale dhe bypass-et ilegale për të siguruar përdorimin ekskluziv të pikave të kalimit zyrtar të mallrave dhe personave që hyjnë ose dalin nga Kosova. Serbia duhet të lejojë rifillimin e takimeve të përbashkëta të IBM-it të ndërmjetësuara nga BE-ja në të gjitha nivelet (lokale, rajonale dhe qendrore)”, theksohet në dokument.

Raporti për Kosovën zyrtarëve shtetërorë u është dorëzuar të mërkurën pasdite. 

Në përgjithësi, nga 38 fushat që janë vlerësuar nga Komisioni Evropian, në 10 prej tyre është evidentuar lëvizje pozitive krahasuar me Raportin e vitit të shkuar. 

Në 20 fusha është vlerësuar se ka progres të kufizuar, në 11 sosh është thënë se ka pak progres, në 4 fusha se ka progres të mirë dhe në 3 të tjera se nuk ka fare progres.