Përfaqësues të popullit, por edhe liderë institucionesh nuk janë kursyer në gjuhën që kanë përdorur kohëve të fundit. Sipas njohësve të çështjeve politike e sociologëve, degradimi i diskursit të tyre është ashpërsuar në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, me synim të fitimit të sa më shumë votave. Përdorimi i gjuhës joadekuate si përfaqësues institucionesh konsiderohet se do të ketë ndikim negativ në shoqëri.
“Ua ka ndalë komplet tagjinë”, “Llaskuc politikë”, “Jeni zënë me pelë për dore”, “Dilni prej biruceve”.
Ky është komunikimi që kohëve të fundit kanë përdorur deputetët në Kuvend.
Derisa institucioni më i lartë ku përfaqësohet populli njeh përdorim të gjuhës së tillë qysh moti, ajo vlerësohet se degradon në prag të zgjedhjeve e në periudhën kur partitë politike pa dallim e përdorin për të bërë fushatë.
Deputetët nuk janë të vetmit. Nga një lloj i tillë komunikimi nuk janë kursyer as liderë qeveritarë.
I fundit është ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai u mor me, siç tha, kastën e vjetër zhvatëse që ulërinë, e krahasimin e bëri me një lloj paraziti.
“Për 20 vite qeverisje të kastës së vjetër zhvatëse, Kosovës tonë i janë ngjitur me dhjetëra e qindra ushujza që vazhdimisht ia kanë thithur gjakun për t’u ushyer për vete. Dhe ngjashëm, tani kur këto ushujza po hiqen një nga një nga trupi i Kosovës, i dëgjon kastën e vjetër teksa ulërijnë e bërtasin, e akuzojnë se si vendit po i shkaktohet plagë e gjakderdhje”, ka shkruar Murati.
Diskursi i tillë i përfaqësuesve politikë, qoftë në pushtet apo në opozitë, kritikohet nga njohës të zhvillimeve politike e sociolog.
Sipas Arton Demhasajt, nga organizata “Çohu”, në prag të zgjedhjeve, me këtë lloj komunikimi synohet që të rritet mbështetja nga qytetarët e që më pas do t`iu përkthehej në vota.
“Mendoj që politikanët duhet të jenë shembull dhe duhet të jenë të kujdesshëm në fjalorin që e përdorin që të mos shkojë një gjë e tillë edhe tek qytetarët. Në anën tjetër, ne edhe në të kaluarën e kemi pa që ka pasur fjalor të tillë fyes e ofendues, e gjatë parafushatës e gjatë fushatës dhe çka kemi pa pas zgjedhjeve? I kemi pa pikërisht ato parti politike t'u ba koalicion mes vete, të e ba qeverinë së bashku e pastaj t'u dalë e t`u e mbrojt njëra-tjetrën”, tha Demhasaj.
Sociologu Albert Mecini vlerëson se përdorimi i këtij lloj diskursi vlerëson se ka ndikim negativ në shoqëri.
“Natyrisht që kjo mundet me prodhu edhe pasoja, por mundet me prodhu edhe njëfarë lloj distancimi social të njerëzve prej politikës, prej alternativave që i ofrohen, sepse ata shohin që në një mënyrë nuk kanë ku me shpresu më për një gjendje ma të mirë bazuar në komunikimin e njerëzve institucionalë ose politikë që i kemi sot në sferën publike”, tha Mecini.
Në mungesë të ndonjë mekanizmi ndëshkues për përdorim të gjuhës joprofesionale, Demhasaj e Mecini kërkojnë ndryshim nga kasta politike.
“Mendoj që kultura politike duhet të ngrihet dhe mos të bien politikanët në këtë shkallë që të përdoret gjuhë fyese, ofenduese, që shpeshherë të krijojnë mendësinë që është një gjuhë e rrugëve e jo gjuhë e Parlamentit apo jo gjuhë parlamentare”, tha Demhasaj.
“Ka nevojë për modele ndryshe të komunikimi, ka nevojë për qetësi, ka nevojë për stabilizim komplet shtetëror të shoqërisë në disa, në shumë aspekte, në fakt edhe ky komunikim nuk i ndihmon kësaj, ky është problemi”, tha Mecini.
Krahas përdorimit të gjuhës joadekuate, deputetët nga organizatat që e përcjellin punën e Kuvendit janë kritikuar edhe për moskryerjen e detyrave që kanë.