Besimtarët e fesë islame po kremtojnë festën e Kurban Bajramit edhe në Kosovë. Që nga mëngjesi i hershëm ata ia mësyn xhamive për ta falur namazin Kurban Bajramin, ku edhe dëgjuan ligjërata tematike, derisa mesazh ishte ruajtja dhe mbrojtja e atdheut, solidariteti me nevojtarët por edhe më shumë zhvillim ekonomik.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës kushtuar Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku filloi me faljen e namazit, pas të cilit ishte ligjërata tematike, të cilën e mbajti Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se shprehja e atdhedashurisë në lutjet e përditshme është një ndjenjë e natyrshme sepse është një dhuratë e pashtershme.
“Prandaj është detyrë e jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend. Kurban Bajrami është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën. Këtë e arrijmë duke kryer vepra të mira, duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtaret“, tha ai.
Ai po ashtu luti Zotin që të rikthejë paqen në Palestinë dhe Ukrainë. Po ashtu pati një mesazh edhe për çiftet bashkëshortore.
“Bashkërisht mund të bëjmë edhe më shumë në rritjen ekonomike, rritjen e standardeve për një jetë më të mirë në Kosovë në mënyrë që të zvogëlojmë migrimin e popullatës tonë nëpër vendet e botës. Në anën tjetër shohim që nataliteti ka rënë, se Kosova dhe vendet e tjera shqiptare po zbrazën në përmasa të madhe, çiftet e reja nuk bëjnë më shumë se një apo dy fëmijë. Ftoj çiftet e martuara që të kenë më shumë fëmijë ngase edhe këtë ia kemi borxh Kosovës sonë. Të mos frikësohen çiftet e reja për riskun e familjes ngase risku është moment i Zotit. Të mos bëhemi shkaktar për mbylljen e foshnjoreve, çerdheve, shkollave e xhamive, ngase do të na gjykoj e ardhmja e vendeve tona”, tha ai.
Me rastin e Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës si tradicionalisht organizon pritje në selinë e saj nga ora 9:00-12:00./KSP
Hovenier uron për Kurban Bajramin
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka uruar me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Hovenier ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë kudo që janë nëpër botë.
“Urimet e mia më të ngrohta me rastin e Kurban Bajramit për të gjithë ata që e festojnë në Kosovë dhe mbarë botën!” – ka shkruar Hovenier në platformën “X”.
My warmest greetings on the occasion of Eid al-Adha (Kurban Bajram) to everyone celebrating in #Kosovo and across the world! pic.twitter.com/gQ4Nn9Sflx
Bogujevci: T’i ndihmojmë njëri-tjetrit, sidomos atyre që iu nevojitet ndihma jonë
Bashkësia Islame e Kosovës është vizituar sot edhe nga delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga nënkryetarja, Saranda Bogujevci.
Bogujevci ka thënë se dihet të përkujdesemi për njëri-tjetrin e sidomos ndaj atyre që kanë më shumë nevoje dhe iu nevojitet ndihma jonë.
“Është ditë shumë e rëndësishme që ndërlidhet me sakrificën por edhe mirësinë. E si popull kemi kaluar në momente të vështira me shumë sakrificë dhe fale Zotit jem këtu, kemi kaluar një pjesë të madhe. Qoftë kjo ditë e mbushur me mirësi, gëzime së bashku me familjet e juaja. Përkujdesje ndaj njëri-tjetri e sidomos ndaj atyre që kanë shumë me pak se ne dhe ju nevojitet ndihma jonë”, ka thënë Bogujevci.
Ndërkohë, gjatë bisedës Bogujevci ka njoftuar se salla e Kuvendit do të rinovohet gjatë pushimeve verore që kanë.
Konjufca uron Kurban Bajramin: Kjo festë na sjell ndërmend sakrificën e solidaritetin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ka uruar gjithë qytetarëve të besimit myslimanë festën e Kurban Bajramit.
Konjufca ka thënë se Kurban Bajrami është festë që përkujton sakrificën e solidaritetin.
Ai ka uruar paqe, mirësi e begati.
“Sakrificë dhe solidaritet, këto na i sjell ndërmend Kurban Bajrami si falënderim për Krijuesin. Në këtë frymë, të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë të bekuar! Uroj që në këtë ditë të shenjtë dhe përgjithnjë, në shpirtin e secilit të frymojë mirësia e përkujdesja, mirënjohja për çka kemi dhe zemërgjerësia ndaj atyre që nuk kanë. Mesazhi i kësaj feste na fton të reflektojmë për të kuptuar thelbësisht vlerën e sakrificës si themel të bashkësisë shoqërore dhe njerëzore. Kjo ditë na tregon se shtrirja e dorës ndaj atyre më në nevojë mes nesh, e zgjeron shpirtin dhe ai gjen vetveten te kjo përfshirje barazitare, përkundër përjashtimit. Gëzim e shëndet, paqe, mirësi e begati në familjet tuaja!” – ka shkruar Konjufca në Facebook.
Abdixhiku: Kurban Bajrami na kujton vlerat më të larta njerëzore
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në emër të partisë që e drejton ua ka uruar festën e Kurban Bajramit të gjithë qytetarëve që e festojnë.
Ai ka thënë se kjo festë kujton vlerat më të larta njerëzore, sakrificën ndaj krijuesit e solidaritetin.
“Kjo festë na kujton vlerat më të larta njerëzore, sakrificën ndaj krijuesit, solidaritetin ndaj njerëzve dhe mirësinë ndaj njëri tjetrit. Një shoqëri që beson në Zot, që përkujdeset për familjen, për njëri-tjetrin, për atdheun, për vendin, për shoqëri që ka prosperitet”, ka thënë ai gjatë vizitës së tij në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Abdixhiku tutje ua ka uruar festën edhe gazetarëve, meqenëse sipas tij, janë gjithmonë në detyrë.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë uron Kurban Bajramin
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ua ka uruar besimtarëve myslimanë Kurban Bajramin.
Ajo ka uruar të gjithë njerëzit që festojnë në Izrael, Kosovë dhe kudo në botë, duke shkruar në disa gjuhë të ndryshme.
“Gëzuar festën e Bajramit të Vogël të gjithë miqve që po festojnë në Izrael, Kosovë dhe anekënd botës! Me fat Bajramin e Vogël! Bajram Sherif Mubarek Olsun! Bayramınız kutlu olsun! Bahtalo o Kurban Bajrami! Eid Mubarak!”, ka shkruar ambasadorja Ziv në urimin e saj në platformën “X”.
Happy #EidAlAdha to all friends celebrating in #Israel, #Kosova and around the world!
Me fat Bajramin e Vogël!
Bajram Šerif Mubarek Olsun!
Bayramınız kutlu olsun!
Bahtalo o Kurban Bajrami! #EidMubarak! pic.twitter.com/uW5E03zO4D— Tammy Ziv 🇮🇱 (@AmbTammyZiv) June 16, 2024
Hamza uron të ketë më tepër harmoni e solidaritet: Të punojmë bashkë për progres e prosperitet
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka uruar gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Hamza pas vizitës që pati në Bashkësinë Islame të Kosovës, ka bërë thirrje për më tepër harmoni, paqe e solidaritet.
“Shfrytëzoj rastin t’i uroj gjithë qytetarët e Kosovës të besimit islam për festën e Kurban Bajramit. T’ju uroj shëndet, begati e gjitha të mirat në familjet e tyre. Është festë që simbolizon solidaritetin, sakrificën. Urojmë të ketë harmoni, paqe. Është festë ku realisht njerëzit janë më bujar, solidar, edhe falin e pajtohen. Gjithmonë këto festa uroj të ketë gëzime, begati e harmoni. Gjithë të punojnë bashkë për progres dhe prosperitet”, ka thënë Hamza.
Famullitari i Katedrales së Prishtinës viziton BIK-u, uron të gjithë për festën e Kurban Bajramit
Famullitari i Katedrales së Prishtinës, Don Agim Qerkini, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku në emër të ipeshkvit të Kosovës dhe të Kishës ka uruar festën.
“Siç e theksoj myftiu ne festojmë së bashku gjithmonë festat tona, janë një shembull e dëshmi e mrekullueshme, jo vetëm e tolerancës por edhe mirëqenies në popullin e shoqërinë tonë”, ka thënë Qerkini.
Ai ka kujtuar edhe fetën e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, si dhe të zhdukurit me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë dhe familjet e tyre.
Ai po ashtu ka përmendur edhe ndeshjen e mbrëmshme në kuadër të Euro 2024 mes Shqipërisë e Italisë, të cilën Shqipëria e humbi 2:1. Shqipëria kaloi në epërsi pas 23 sekondave me golin e Nedim Bajramit.
“Mbrëmë filluam të festojmë festën e Bajramit, në vigjiljen e festës, me golin e parë që shënuam kundër Italisë në kampionat, por nuk na zgjati gëzimi shumë. Urojmë sot të festojmë me gjithë zemër e gëzim”, tha Qerkini.
Kurti viziton BIK-un, flet për rëndësinë e gatishmërisë për sakrificën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrat e Qeverisë së Kosovës, kanë vizituar Bashkësinë Islame me rastin e festës së Kurban Bajramit ku janë pritur nga myftiu Naim Tërnava.
Kurti pas takimit ka treguar për rëndësinë e gatishmërisë për sakrificë.
“Të gjithë besimtarëve e qytetarëve të vendit tonë, shqiptarëve kudo që janë ua uroj festën e Kurban Bajramit. Kjo festë na përkujton rëndësinë e sakrificës, por mbi të gjitha rëndësinë e gatishmërisë për sakrificë. Nga gatishmëria për sakrificë buron sinqeriteti, marrëdhënia e mirë ndërnjerëzore dhe mirësia e solidariteti”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se shoqëria në komb, duhet të jetë e bashkuar dhe e gatshme për të ndihmuar.
Haradinaj: Ta gëzojmë këtë festë, t’i gjendemi njëri-tjetrit
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar Bashkësinë Islame në Kosovë me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku është pritur nga myftiu Naim Tërnava.
Haradinaj në një prononcim pas takimit ka bërë thirrje për solidaritet.
“Ta gëzojmë këtë festë. T’i gjendemi njëri-tjetrit. Të jetojmë me porosinë e kësaj feste – që është sakrifica”, ka thënë Haradinaj.
Kurti në festën e Bajramit bën thirrje për më tepër solidaritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në urimin e tij për festën e Kurban Bajramit, ka bërë thirrje të jemi më zemërgjerë e po ashtu për më tepër solidaritet.
“Me fat Bajrami! Gëzuar kjo festë që është edhe kujtesë për vlerat e sakrificës dhe devotshmërisë. Për të qenë falënderues për bekimet tona dhe për t’i ndarë me ata që kanë më shumë nevojë. Për më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit, bujari e kujdes për të gjithë, e përbashkim rreth thirrjes për vepra të mira. Me zemra të hapura dhe duar të zgjatura njëri-tjetrit, në këtë Kurban Bajram, le të ndajmë gëzimin me të gjithë ata që na rrethojnë. Le të jemi zemërgjerë, jo vetëm me të mirat materiale, por edhe me kohën, dashurinë dhe mbështetjen tonë. U shtoftë solidariteti ndër ne. Sakrifica e dëlirë u bëftë shpërblim për më të mirën në ne”, ka thënë Kurti.
Osmani uron Bajramin: Shtëpitë tuaja qofshin të mbushura me dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar festën e Kurban Bajramit, ndërsa ka thënë se në këtë ditë shpërfaqet “tradita jonë dhe shpirti solidar”.
“Uroj që festa e Kurban Bajramit të sjellë gëzim, paqe dhe begati në familjet tuaja! Kjo festë bashkon njerëzit, ndaj në këtë ditë hapen jo vetëm dyert, por edhe zemrat për ta shpërfaqur traditën tonë, si dhe shpirtin solidar për të ndarë diçka nga vetja për ata që kanë nevojë. Kurban Bajrami është festë e sakrificës, mundësi për reflektim, dhembshuri dhe mirënjohje. Shtëpitë tuaja në këtë ditë feste qofshin të mbushura me gëzim, dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë. Urime dhe gëzuar festa e Kurban Bajramit!” – thuhet në urimin e Osmanit.