25 vjet

Në Ditën e Çlirimit kujtohet heroizmi i familjes Jashari

Rezistenca e komandantit Adem Jashari dhe e gjithë familjes së tij shënohet çdo vit më 5, 6 dhe 7 mars. Në betejën ku forcat serbe rrethuan shtëpinë e Jasharëve, mbetën të vdekur 59 persona, në mesin e tyre 55 të familjes Jashari. Prekazi është për qendër edhe për festa të tjera

Më këngë epike, nxënësit e shkollës “Liria” në Gjilan, të mërkurën, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, nderuan veprën e komandantit Adem Jashari në Prekaz.

Vargjet e këngës “mora fjalë” nuk i ndalnin së kënduari, që për një orë qëndrimi në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, filloristët u njohën me sakrificën e familjes Jashari në fillimmarsin e vitit 1998.

“Sot i kemi sjell disa nxënës, diku rreth 30 për qind nxënës të shkollës i kemi shpërblye për shkak të sjelljes që kanë tregu dhe i kemi sjell këtu në Prekaz për ta kuptuar edhe ata rëndësinë e këtij vendi”, ka thënë Avdil Islami, drejtor në shkollën “Liria” në fshatin Pogragjë të Gjilanit. 

Ashtu si nxënësit, edhe disa qytetarë zgjodhën që në Ditën e Çlirimit të bëjnë homazhe te varrezat e anëtarëve të familjes Jashari. 

Besarta Seferi nga Drenasi, sigurohet që të afërmit e saj në mërgim, të vizitojnë rregullisht Prekazin gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. 

“Zakonisht, i pari që vjen i them hajde dalim dhe shkojmë në Prekaz fillimisht, e pastaj shkojmë me hëngër bukë ose kafe. Kushdo që vjen prej mërgimit kam qejf fillimisht me i sjell në Prekaz”, ka thënë ajo. 

E, vizita në këtë kompleks memorial, ua ktheu në memorie ditën kur falë edhe bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe, u çlirua vendi nga pushtimi serb. 

Xhevdet Kryeziu nga Komuna e Dragashit, e kujton ditën kur mori lajmin se u mposht regjimi i Sllobodan Millosheviqit, nga ndërhyrja ushtarake e ndërkombëtareve.

“Kemi qenë në Zvicër dhe i kemi përcjell lajmet çdo ditë. Lajmi më i gëzueshëm në jetën time dhe kurrë nuk harrohet është lajmi kur është çlirua Kosova. historia nuk harrohet kurrë dhe pasardhësit e mi nuk e harrojnë dhe gjithmonë e kujtojnë dhe gjithmonë e mësojnë”, ka treguar Kryeziu. 

Për homazhe në Prekaz ishin edhe disa shqiptarë nga Gostivari. 70-vjecari, Shaip Ramadani, të mërkurën pa për herë të parë gjurmët e mbetura të luftës 3-ditore të familjes Jashari. Ai me lot në sy tregon se me vizitën e tij në kompleksin memorial, realizoi ëndrrën e tij të kahmotshme. 

“Dhëndëri im e di që kam probleme me këmbë. Por mua më ka mbetur merak të shkojë te Adem Jashari, që ka lënë kokën për Kosovën dhe familjen e ka lënë për Kosovën. Për këtë Kosovë i ka dhënë, shiko sa bukur është bërë këtu, aq sa zemra të kënaqet”, është shprehur Ramadani. “Nuk e di, por Zoti na ruajt që kam arritur me shkel këtë tokë. Kam qenë në Prishtinë, Gjilan por këtu nuk kam qenë dhe jam shumë i gëzuar dhe tani nuk kam gajle që vdes, nuk mërzitem”. 

Një qytetarë tjetër nga Gostivari, me qëndrim në perëndim, thotë se Prekazin e vizitoi për të pestën herë. Sipas tij, vepra e Jasharëve është udhërrëfyes për ta dhe brezat e rinj.

“Kam ardhur këtu me kushëri, kam qenë edhe më herët për të nderuar sakrificën e familjes Jashari. Vizita duhet të bëjmë që mos të harrohet historia dhe të shkojmë përpara, mos të shkojmë mbrapa se mjaftueshëm kemi ec mbrapa”, ka thënë ai. 

Rezistenca e komandantit Adem Jashari dhe e gjithë familjes së tij shënohet çdo vit më 5, 6 dhe 7 mars. Në betejën ku forcat serbe rrethuan shtëpinë e Jasharëve, mbetën të vdekur 59 persona në Prekaz, në mesin e tyre 55 të familjes Jashari.