Arbëri

Në Ditën e Biodiversitetit bëhet thirrje për zbatim të legjislacionit për mbrojtje të natyrës

Rreziku që i kanoset botës bimore dhe shtazore nga njeriu është sjellë në vëmendje gjatë Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit.

Ruajtja e specieve në zhdukje si rrëqebulli, dreri e dhia e egër është kërkuar në aktivitetet që ka organizuar Ministria e Mjedisit të shtunën në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

“Kjo shtazë jashtëzakonisht e veçantë dhe në zhdukje e ka vendosur edhe gjeo-politikisht Kosovën në hartën e rëndësishme të strategjive botërore. Është ora e fundit kur ne të gjithë duhet të mendojmë për mbrojtjen e këtyre vlerave që ne i kemi”, ka thënë Fatos Lajçi nga organizata “Era”.

Ambientalisti Behxhet Mustafa, ka bërë thirrje për zbatim të ligjeve në mbrojtje të shumëllojshmërisë së specieve natyrore.

“Prej 7500 llojeve sa llogaritet që ka Ballkani të bimëve, diku 2500 lloje apo rreth 30% të tyre gjenden edhe në Kosovë. Kjo është një mrekulli dhe një diçka që duhet vërtetë t’i kushtojmë kujdes kësaj vlere të natyrës”, është shprehur ai.

Ndërsa zëvendësministrja e Mjedisit, Linda Çavdarbasha, tha se është koha e fundit për të vepruar kundër humbjes së biodiversitetit.

“Viti 2021 duhet të jetë vit i reflektimit, i mundësisë dhe i zgjedhjeve. Pritet prej secilit prej nesh që të veprojmë duke treguar një vullnet të fortë për kornizën globale e cila do të ulë humbjen e biodiversitet dhe përfitimin e njerëzve në gjithë planetin tonë”, ka deklaruar Çavdarbasha.

Derisa në Gërmi janë ekspozuar materiale me thirrje për mbrojtjen e natyrës, aktivitete të ngjashme janë organizuar edhe në pjesë të tjera të Kosovës.