KESCO ka njoftuar se vetëm gjatë muajit dhjetor janë shpenzuar 35 milionë euro për importim të energjisë elektrike.
Në një deklaratë për KOHËN, KESCO ka thënë se konsumi ka arritur vlerë rekorde prej 1500 megavatëve orë, ndërsa prodhimi i brendshëm po mbulon vetëm 730/740 megavatë orë. Pjesa tjetër po importohet. Po ashtu është thënë se Blloku A5 është jashtë funksionit.
KESCO dhe KEDS kanë dalë edhe me një komunikatë duke kërkuar kursim të energjisë elektrike.
“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të ftohjes së motit. Të njëjtën kohë, mijëra bashkatdhetarë kanë ardhur për t’i kaluar festat e fundvitit në vendlindje. Kjo ka bërë që kërkesa për energji elektrike të rritet në nivelet më të larta historike, duke arritur deri në 1500 megavatë në orë. Shpenzimi i tillë nuk është shënuar asnjëherë më parë në historinë e furnizimit me energji elektrike. Deri te kjo situatë ka ardhur pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve janë duke u ngrohur me energji elektrike. Kjo ka bërë që disa pjesë të vendit të mbingarkohen tej mase, duke rrezikuar edhe djegien e aseteve të rrjetit distributiv”, thuhet në komunikatë. “Në të njëjtën kohë, pasi prodhimi vendor nuk po mjafton as përafërsisht që të mbulohet kjo kërkesë, po importohet një sasi e konsiderueshme e saj me çmime dukshëm më të larta se ato nga prodhimi vendor. Në këto rrethana, KEDS dhe KESCO apelojnë fuqishëm që të kursehet maskimalisht energjia elektrike, pasi kjo mundëson operim më të lehtë të sistemit, më efikas dhe më të sigurt. Po ashtu, edhe kostoja e energjisë elektrike ulet nëse varësia nga importi është më e vogël”.