Marrëveshje e deklarata të përbashkëta, pritet të nënshkruhen nesër mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, tha se shefi i Qeverisë do të ngrejë edhe shqetësime sa i përket sigurisë. E deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se Kosova shkon e papërgatitur dhe në pozitë të pafavorshme në Berlin.
Në takimin e së hënës në kuadër të Procesit të Berlinit, në të cilin po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, është paralajmëruar nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe deklaratave në mes të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, ka thënë se në kryeqytetin e Gjermanisë do të nënshkruhet edhe një deklaratë për fqinjësi të mirë.
“Nesër pritet që të nënshkruhet një marrëveshje e re për qasje në studime duke e çuar në pesë numrin e marrëveshjeve të arritura që nga vitit 2022, të cilat njihen edhe si marrëveshje të mobilitetit. Do të ketë një nënshkrim të një deklarate të Planit të ri të Veprimit 2025-2028 për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe një deklaratë për fqinjësi të mirë, e cila është dakorduar në nivel të gjashtë shteteve”, ka deklaruar Zulfaj.
Zulfaj ka treguar edhe për temat që do i ngrejë kryeministri Kurti në takimin që do të mbahet të hënën nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.
“Do të flasë edhe për prezencën e sigurisë si parakusht për marrëdhënie të mira fqinjësore. Pastaj do të flasë edhe për fonde të cilat nevojiten për përballje me ndryshimet klimatike, për adaptim dhe investimet në infrastrukturë, të cilat do të diskutohen gjatë sesionit të agjendës së gjelbër dhe konektivitetit”, është shprehur ai.
E deputeti opozitar nga radhët e Partisë Demokratike, Ferat Shala, ka kërkuar që qasja e Kosovës të jetë bashkëpunuese e konstruktive.
“Po ç‘është e vërteta, vullneti, dëshira dhe nevoja institucionale shtetërore janë që Kosova nesër të jetë e përgatitur, të jetë integruese, të jetë bashkëpunuese dhe në koordinim të plotë me interesat nacionale të shtetit tonë. E, interesat nacionale të shtetit tonë janë kompatibile me interesat e fuqive të mëdha veçanërisht në këtë rast, Gjermanisë. Pra, ne nuk guxojmë të shkojmë me asnjë koncept i cili bie ndesh me parimet demokratike, ekonomike, politike dhe të sigurisë së shtetit gjerman”, ka thënë ai.
Sipas Shalës, pozicioni diplomatik në të cilin gjendet Kosova është i ndjeshëm.
“Kosova është në pozitë të disfavorshme, për shkak të një udhëheqjeje, pothuajse 4-vjeçare, të diplomacisë dhe bisedimeve tona që kemi pasur, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në nivel më të gjerë evropian, po shkojmë të papërgatitur dhe nga pozicioni jashtëzakonisht i ndjeshëm, nga pozicioni ku institucione të caktuara të Bashkimit Evropian dhe atij rajonal na kanë vënë para sanksioneve dhe goditjeve të njëpasnjëshme si rezultat i mospërgatitjes dhe moskomunikimit institucional, diplomatik të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.
Tri nga pesë marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2022 në kuadër të Procesit të Berlinit nuk kanë gjetur zbatim ende.
Mes tyre është edhe marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Referuar këtij rasti, por edhe ngecjeve në marrëveshjet e tjera, zyrtarë të Komisionit Evropian janë skeptikë për përfitimet që mund t’i sjellë takimi i radhës në Berlin.
E në një diskutim në kryeqytetin e Gjermanisë në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e ka cilësuar sukses faktin që nisma nuk do të mbetet me minus një shtet, duke iu referuar Kosovës.