Arbëri

Në 80-vjetorin e themelimit, ish-punëtorët e vlerësuan lart rolin e RTP-së në emancipimin e shoqërisë

Në përvjetorin e 80-të të themelimit të RTP-së, ish-punëtorë të mediumit u mblodhën pranë objektit ku dikur punuan, për ta shënuar këtë ditë me muzikë e fjalime. Tek e theksuan rëndësinë e RTP-së në emancipimin e shoqërisë, ata shprehën pakënaqësi që për këtë rast nuk ka pasur një organizim institucional

Ish-punëtorë të Radiotelevizionit të Prishtinës u mblodhën të mërkurën para objektit ku dikur kanë punuar, për ta shënuar 80-vjetorin e themelimin të mediumit.

Për këtë rast, ata përgatitën program që i ngjasoi një emisioni të Radios, me pika muzikore e me fjalime.

Ish-producenti i RTP-së, Qemajl Sokoli tha se mediumi në të cilin ka punuar ka luajtur rol të madh në emancipimin e shoqërisë në Kosovë.

“Pas Luftës së Dytë Botërore ne kemi qenë ndër të parët dhe e kemi përcjellë edhe popullin dhe kemi qenë në vorbullat e jetës dhe kemi pasur jehonë ngase zëri i Radio Prishtinës janë dëgjuar dhe mirëkuptuar dhe mirëpritur nga të gjithë. RTP ka qenë pasqyra jonë si dhe pushka më jehuese e kombit”, ka deklaruar Sokoli.

E ish-punëtori Mustafë Halili ka shprehur vërejtjen që për këtë përvjetor të RTP-së ka munguar organizimi institucional.

“Unë mendoj se është dashur ta festojnë bashkë të gjitha institucionet e Kosovës sepse 80 vjet nuk janë pak. Këtë është dashur ta festojnë edhe të gjithë punëtorët e RTK-së bashkë me bashkëpunëtorët tanë të dikurshëm, sepse këtu janë 80 vjet punë”, ka theksuar Halili. 

Me rastin e shënimit të 80-vjetorit të themelimit të RTP-së, organizatorët u ndanë mirënjohje figurave të ndryshme nga bota e artit dhe gazetarisë, përfshirë Muharrem Qenën, Rexho Mulliqin, Rexhai Surroin e të tjerë.

Më 5 shkurt 1945 në Prizren u themelua stacioni i parë profesional me program të rregullt ditor në gjuhën shqipe dhe serbe, i quajtur “Radio Prizreni” e me kalimin e administratës në Prishtinë, nga vjeshta e vitit 1946 vazhdoi të funksionojë me emrin “Radio Prishtina”.