Arbëri

Në 25-vjetorin e masakrës së Rezallës, liderët kërkojnë drejtësi për viktimat

Rezallë

Në 25 vjetorin e masakrës së Rezallës presidentja Vjosa Osmani ka thënë se sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme.

“Forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra. Eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudnicë të Rashkës. Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to! Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, citohet Osmani në njoftimin e Presidencës. 


Konjufca: Serbisë i kanë ndryshuar rrethanat, por jo mendësia, të përballet me krimet e veta

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka thënë se Rrezalla nuk ishte episod i izoluar apo rast përjashtimor, por “ndodhi në vazhdën e fushatës së krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit, masakrave të njëpasnjëshme dhe spastrimit etnik, që ishin mekanizma dhe mjete të shtetit të Serbisë, si strukturë e kalkulimit dhe gjenerimit të vrasjes në masë”.

“Serbisë i kanë ndryshuar rrethanat, por jo mendësia. Pa e ndryshuar mendësinë dhe pa u përballur me krimet e veta, përballë nesh ajo do të përbëjë gjithnjë shtetin e zhytur në krimin e përbindshëm dhe kërcënim të vazhdueshëm. Ne kemi dëshmorë e martirë të cilëve u përkulemi, ndërsa Serbia kriminelë lufte që i mbron”, ka shkruar Konjufca.

Sipas tij Rrezalla është pjesë e dhimbjes sonë të madhe, ku martirët lanë dëshminë e sakrificës si çmim të lirisë. Për ta ne do të vijojmë të kërkojmë drejtësi. “Sot bëra homazhe aty, për nder të kësaj sakrifice të tyre. Ata nuk do të harrohen kurrë, sepse gjithmonë do të frymojnë tek liria jonë, e do të kujtohen përherë, sepse qëndrojnë në themelet e shtetit tonë. Lavdi martirëve të lirisë!”, ka shkruar Konjufca.


Kurti u bën thirrje ndërkombëtarëve të kërkojnë nga Serbia zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Kryeministri Albin Kurti, ndërkohë ka shkruar se “nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”. 

“Në Rezallë të Skenderajt, 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Të shtënat kishin zgjatur 30 minuta. Pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të kërkojnë nga Serbia zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. 

“Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”, ka shkruar Kurti. 

“E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri. Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla! Lavdi!”, ka shtuar ai.


Krasniqi për masakrën e Rezallës: Ekzekutorët e urdhërdhënësit s’kanë dalë para drejtësisë

Masakrën e Rezallës e ka kujtuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. 

Ai ka thënë se në këtë masakrës nga forcat serbe “nuk u kursye askush, as fëmijët dhe as të moshuarit”.

“Burim Zabeli, 13 vjeç, po refuzonte t’i ndahej babait të tij, Xhemajlit, i cili kishte probleme me shikim. Dhe ashtu, dorë për dorë, pranë një lisi, kriminelët serbë i pushkatuan të dy. Trupat e Burimit dhe Xhemajlit u gjetën vetëm disa vite pas vrasjes në një varr masiv në Serbi - pasi aparati kriminal shtetëror, në mënyrë të orkestruar, kishte provuar t’i zhdukë trupat. 98 civilë shqiptarë, të të gjitha moshave, u vranë mizorisht në Rezallë me 5 prill të vitit 1999”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka thënë se sikur për shumë masakra të tjera, as për këtë përgjegjësit nuk kanë dalë para drejtësisë.

“Edhe për këtë masakër, sikur për shumë të tjera që ka kryer regjimi gjenocidal serb, ende s’kanë dalë para drejtësisë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të vendit tonë, mbi sakrificën e të cilëve qëndron liria dhe pavarësia e Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi.