Dita e Kushtetutës

Në 16-vjetorin e Kushtetutës, në shqyrtim gjyqësor 7 ligje të sponsorizuara nga Qeveria

Brenda mandatit të Qeverisë aktuale, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar katër ligje të saj të kontestuara nga opozita. Për vlerësim të kushtetutshmërisë, në punë, kjo gjykatë ka edhe shtatë ligje të tjera. Në ditën e 16-vjetorit të miratimit të Kushtetutës shprehet drojë për cenimin e saj nga autoritetet shtetërore

Kushtetuta e Kosovës është atakuar pjesërisht e tërësisht disa herë nga ligjet e sponsorizuara nga udhëheqja trevjeçare e Qeverisë aktuale. 

Brenda këtij mandati, gjykata shpalli në kundërshtim me Kushtetutën në tërësi Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë për çmimet tavan, derisa ka rrëzuar disa nene edhe të Ligjit për paga, si dhe të Ligjit për Zyrtarët Publikë. 

Shumica e ligjeve të cilave u është vlerësuar kushtetutshmëria, në Gjykatë janë dërguar nga partitë parlamentare opozitare. 

Aktualisht Kushtetuesja është duke i shqyrtuar 7 ligje të tjera, si Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për pagën minimale, Ligji për Fondin Sovran, Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, Ligji për Investime të Qëndrueshme, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Në 16-vjetorin e Kushtetutës, partitë opozitare janë shprehur se asnjëherë më shumë se gjatë këtij mandati qeverisës, Kushtetuta nuk ka pasur nevojë për mbrojtje. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se duhet të mbrohen me çdo kusht themelet e të drejtave të popullit të Kosovës që i ka përcaktuar dokumenti i Kushtetutës. 

“Fatkeqësisht, në tre vjetët e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vetë Qeveria e Kosovës – që e ka obligim ligjor, institucional dhe kombëtar t’i dalë zot asaj”, ka thënë ai.

Shqetësim të njëjtë ngriti edhe AAK-ja. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se arbitrariteti i numrave të Qeverisë në Kuvend e ka sjellë situatën në gjendjen aktuale, ku ligjet, sipas tij, miratohen shpejt pa shqyrtimin e nevojshëm përmbajtjesor dhe kohor.

“Republika e Kosovës është duke u ballafaquar me një qeveri, e cila në mandatin e saj do të mbahet mend si Qeveria më antikushtetuese duke miratuar ligje dhe duke përfunduar në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ai. 

E Forumi rinor i LDK-së, me një aksion simbolik të martën vuri para derës së Qeverisë një tepih, mbi të cilin shkruhej Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Qeveria dhe eksponentët e saj për asnjë moment nuk kanë treguar reflektim dhe pendesë, përkundrazi ata e kanë atakuar shtyllën thelbësore të demokracisë, Gjykatën Kushtetuese. E vendosëm këtë tepih, meqë të tillë e kanë shndërruar aktin më të lartë politik e juridik të vendit duke e shkelur sa herë që kanë mundësi”, ka thënë Paris Guri, kryetar i forumit.

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se asnjë qeverisjeje deri më tash nuk i janë kontestuar ligjet më shumë sesa aktuales, porse vlerëson se shkeljet nuk janë shumë të mëdha.

“Unë konsideroj se ka disa shkelje, por nuk janë shkelje të rënda të Kushtetutës dhe nëse bëjmë një komparacion me shtetet e Evropës Juglindore, ne jemi në nivel të duhur. Përndryshe në vendet e tjera, Serbi e Maqedoni, shkelet më shumë Kushtetuta”, ka thënë Kryeziu.

Pos ligjeve, Gjykata është duke e vlerësuar kushtetutshmërinë edhe të dy vendimeve të nxjerra nga Kuvendi i Kosovës: ai për shkarkimin e Kimete Gashit nga pozita e anëtares së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe tjetri për shkarkimin e anëtarit të KPK-së, Agron Beka.