Ka ngjallur reagime të shumta ndryshimi i Raportit të Auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të shtetit për vitin 2023. Partitë opozitare kritikuan partinë në pushtet për ndërhyrje direkte në institucione publike. Kërkuan nga Qeveria llogari e madje nga Komisioni për Buxhet, që Auditorja e Përgjithshme të ftohet për raportim për ndryshim të këtij raporti ZKA-ja e Ministri Murai thanë se ishte gabim teknik.
Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe partitë e tjera opozitare PDK dhe AAK e kanë akuzuar partin në pushtet për ndërhyrje në ndryshimin e Raportit të Auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të shtetit për vitin 2023.
Anëtari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, nga PDK-së, Ferat Shala ka thënë se partia në pushtet ka ndërhyrje direkte në institucione publike.
“Në shumë institucione të pavarura ka ndërhyrje direkte nga nivelet politike, këto në mënyrë më të thjeshtë dhe të qartë është ndërhyrja direkte e Ministrit të Financave dhe niveleve të tjera politike të mazhorancës në raportin përfundimtar të auditimit dhe kjo shënohet në shifra reale dhe konkrete, sipas të dhënave të Ministrisë, pra mënyra dhe ndërhyrja është flagrante dhe tani mund të konstatojmë që nuk kemi auditim të pavarur në institucionet e brendshme të shtetit tonë sepse po filtrohen nga struktura politike”, ka thënë Shala.
Shala ka deklaruar se Komisioni për duhet të ftojë për raportim auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca lidhur me ndryshimin e Raportit të Auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të shtetit për vitin 2023.
“Do të duhej të ftohej, por gjithsesi në këtë relacion do të thotë unë nuk pres ndryshime të mëdha, sepse edhe për Komisionin për Buxhet dhe shumicën në komision e ka mazhoranca”, është shprehur ai.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se ndryshimi i raportit tregon mënyrën se si Qeveria menaxhon financat e shtetit.
Lekaj ka kërkuar sqarime nga Qeveria lidhur me këtë çështje.
“Çdo përpjekje për të ndërhyrë apo për të manipuluar të dhënat financiare të shtetit minon seriozisht besimin publik dhe tregon mungesë transparence nga institucionet. Raportet financiare të shtetit duhet të jenë të sakta dhe të pandryshuara për të garantuar një llogaridhënie të plotë ndaj qytetarëve. Nëse raporti është ndryshuar pas publikimit të variantit fillestar, kjo ngre pyetje serioze mbi mënyrën se si qeveria menaxhon dhe raporton financat e shtetit. Si opozitë, ne kërkojmë që qeveria të japë sqarime të menjëhershme dhe të detajuara mbi këtë ndryshim, për të mos lejuar që qytetarët të mashtrohen me informacion të manipuluar”, ka thënë Lekaj.
Për ndryshimin e Raportit të Auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të shtetit për vitin 2023, të premten ka mbajtur konferencë LDK-ja që ka akuzuar pushtetit për ndërhyrje në institucionet publike.
E në një njoftim të Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se gjatë procesit të përgatitjes teknike të këtij raporti është lëshuar një gabim, si dhe për këtë gabim janë njoftuar edhe institucionet përkatëse.
Ndërsa Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një postimi në rrjete sociale, ka thënë se beson që Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë gabim teknik, sa i përket këtij raporti.