Që nga e hëna autobusi i linjës “7C”, qarkullon deri te rrethi përballë qendrës tregtare “ETC”, në zonën industriale.
Ky mish-mash me linjat urbane lëre që i ka bërë konfuz udhëtarët, por edhe nervoz.
Madje njëra prej tyre të enjten edhe u fjalos me stafin e linjës për shkak të gabimit të saj me ndërrimin e autobusit.
“Stacioni ka qenë çdo herë aty edhe kur kam udhëtuar me linjën “1” në kohën kur “7C” nuk ka ardhur deri këtu. Prej së hënës që kanë ndryshuar linjat, të gjithë ma kanë ndalur këtu për të zbritur, përveç këtij sot që nuk ma ndali, po më duket shumë absurde kjo”, i tha ajo stafit.
“Tani e kanë bërë më keq mua po më duhet t’i ndërroj dy autobusë, njëri nga “Xhamia e Llapit”, deri në qytet diku mandej tjetrin deri në Fushë-Kosovë sepse punoj këtu shumë keq. Unë nuk kam qenë e informuar më herët për ndryshimin e linjave kur e mora vesh nuk e pash të arsyeshme këtë”.
Edhe shoferi i kësaj linje, Tahir Muçiqi, e pranon që ndërrimi i linjave urbane ka shkaktuar pakënaqësi të udhëtarët.
“Ka pakënaqësi të madhe të qytetarët për ndryshimin e linjave sepse ende nuk po e kuptojnë po mendojnë që është linja “1” por në fakt është linja“7C”, pra nuk e shfrytëzojnë linjën që shkon për Fushë Kosovë por hipin gabimisht. Mandej kur po kthehemi te rrethi këtu na i shfaqin pakënaqësitë duke thënë pse nuk po na dërgoni deri në qytet”.
Përveç këtyre dy linjave drejtimin e kanë ndryshuar edhe disa linja të tjera si 3, 3C, 4, 15 dhe 19.
“Ndryshimi thelbësor dhe bazik është bërë me linjën “1”, që shkon për në Fushë-Kosovë. Linja “3C” është zgjatur deri te rruga “C”, ku kjo rrugë deri më tani nuk ka pasur autobusë deri më tani në vajtje dhe ardhje, ndërsa tani e tutje do të ketë. Gjithashtu linja “3” dhe “4”, për shkak të bllokimit të rrugës “Xhorxh Bush”, nuk kalon më përmes kësaj rrugë për shkak se është mbyllë për qarkullim por po kalojnë në rrugën “Graibaldi”, në drejtim të ndërtesës së Qeverisë”, tha menaxheri i Transportit në Trafikun Urbna, Kujtim Bërbatovci.
Përveç qytetarëve të pakënaqur me ndërrimin e linjave janë edhe transportuesit privatë, të cilët ankohen për ndërhyrje në linjat e tyre duke ua marrë udhëtaret.