Arbëri

Ndryshimet në Kodin Penal vlerësohen shkelje të të drejtave të njeriut

Foto: REL

Behxhet Shala, kryetar i KMDLNJ-së, ka vlerësuar se ndryshimet që ndërlidhen me masat për të dënuarit për vepra penale të dhunimit seksual dhe të ushtrimit të dhunë në familje bien ndesh me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe se do duhej të përfshinin vetëm ashpërsim të dënimeve

Ndryshimet në Kodin Penal, të miratuara të mërkurën nga Qeveria, janë kualifikuar si veprime politike dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës nga Këshilli për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ).

Behxhet Shala, kryetar i KMDLNJ-së, ka vlerësuar se ndryshimet që ndërlidhen me masat për të dënuarit për vepra penale të dhunimit seksual dhe të ushtrimit të dhunë në familje bien ndesh me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe se do të duhej të përfshinin vetëm ashpërsim të dënimeve.

Ekzekutivi në kuadër të mbledhjes të së mërkurës ka votuar që krahas ashpërsimit të dënimeve, të dënuarve për këto vepra penale të mos u lejohet as punësimi në institucione publike, t’u ndalohet marrja e patentë shoferëve dhe që caktimi i masës së paraburgimit të jetë i menjëhershëm.

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka thënë gjatë mbledhjes së 100-të të Qeverisë se nuk do të ketë as zbutje të dënimeve për të dënuarit e këtillë.

“Po ashtu është paraparë që në rastet kur kemi të bëjmë me veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen”, ka thënë ajo.

Qeveria ka miratuar gjithashtu vendimin që personave të dënuar për dhunime e dhunë në familje t’u publikohen edhe emrat. Bazuar në nenin 370 të Kodit të Procedurës Penal, aktgjykimet nuk publikohen dhe emrat redaktohen për rastet kur të miturit janë të përfshirë si palë, për rastet kur pretendohet se veprat penale janë kryer në kuadër të marrëdhënieve familjare apo për rastet e veprave penale kundër integritetit seksual.

Kryeministri Albin Kurti e ministrja Haxhiu kanë kritikuar gjyqtarët në mbledhjen e Qeverisë lidhur me dënimet e buta që shqiptohen në rastet e dhunës në familje dhe të dhunës seksuale.

“Ne nuk mund ta bëjmë detyrën e gjyqtarit dhe as të prokurorit, por mund të hartojmë politika që e shtyjnë gjyqtarin dhe prokurorin të reagojnë e të veprojnë më shumë e më shpejt”, ka deklaruar Kurti.

KOHA ka drejtuar pyetje në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) lidhur me ndryshime dhe kritikat e vazhdueshme nga liderët institucionalë, porse zyrtare të saj nuk kanë kthyer përgjigje.

Reagime të shumta për rastet e dhunimit seksual dhe të dhunës në familje ka nxitur rasti i dhunimit të një vajze 11-vjeçare në Prishtinë, e cila i ishte nënshtruar dhunimit në dy rrethana të ndara brenda dy muajsh. Lidhur me rastin e fundit dhunimit në muajin gusht, të 12 të dyshuarit janë vënë në paraburgim. Gjatë së enjtes, Policia ka njoftuar në raportin e saj 24-orësh për edhe një rast të ri të dhunimit dhe për 4 raste të ushtrimit të dhunës brenda familjes.