Pos sfidave të sigurisë e atyre socio-ekonomike, një raport i përpiluar nga NATO-ja paralajmëron se edhe ndryshimet klimatike gjatë viteve në vijim mund të prodhojnë pasoja të mëdha për popullatën lokale, si dhe praninë e misionit të saj – KFOR – në Kosovë. Tek trajtohet si një nga zonat e nxehta të planetit, raporti alarmon se krimi mjedisor paraqet sfidë serioze për ekosistemin e vendit. E përmendet edhe mundësia e ndërprerjes potenciale të operacioneve të NATO-s, pasi parashikohet rritja e numrit të vdekjeve, shkaku i nxehtësisë e ajrit të ndotur
Kosova është një nga pikat e nxehta të ndryshimeve klimatike, thotë një raport i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, i cili trajton prezencën e misioneve të saj në zonat me rrezik të lartë për fatkeqësi natyrore.
Në raport konstatohet se krimi mjedisor bashkë me situatën e cenueshme të sigurisë mund të kenë pasoja gjatë viteve në vijim.
“Evropa Juglindore, përfshirë Kosovën, është identifikuar si një nga pikat e nxehta të ‘ngrohjes’ së planetit. Ngrohja e përshpejtuar e atmosfera në rajon po çon në ekstrem ngjarjet natyrore, të tilla si zjarret e vitit 2017 dhe 2022, dhe përmbytjet e rënda që Kosova përjetoi në vitin 2023. Frekuenca dhe intensiteti i ngjarjeve të tilla pritet të rriten. E shoqëruar me cenueshmërinë socio-ekonomike dhe situatën sfiduese të mjedisit të sigurisë, ndryshimet klimatike mund të kenë pasoja të dëmshme për Kosovën dhe praninë e NATO-s në terren”, shkruan në raportin e NATO-s.
Në dokument përmenden edhe sfidat me të cilat ballafaqohet mjedisi në Kosovë.
“Krimi mjedisor, si për shembull prerjet e paligjshme të drunjve dhe hedhja e mbeturinave, janë sfida serioze për ekosistemin dhe mjedisin. Këto aktivitete jo vetëm që degradojnë burimet natyrore dhe ekosistemet, por edhe përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike duke rritur nivelet e ndotjes dhe reduktimin e aftësisë së pyjeve për të vepruar si zhytës karboni. KFOR-i ka qenë i përfshirë në monitorimin e krimeve mjedisore duke vlerësuar edhe sigurinë e rreth 12 zonave ku ruhen materialet toksike dhe radioaktive – shumë prej të cilave janë të pamjaftueshme për ruajtje të sigurt. KFOR-i dhe FSK-ja bëjnë vlerësime mujore të këtyre objekteve për të ndihmuar që të mos u ekspozohen rreziqe shtesë mjedisit”, thotë raporti i publikuar më 10 korrik 2024.
Dokumenti i NATO-së përmend edhe aktivitetet tjera të KFOR-it përfshirë ato jashtë Kosovës në ndihmë shteteve për t’u përballur me fatkeqësi natyrore.
“KFOR-i ka pasur rol të rëndësishëm në ofrimin e ndihmës pas ekstremeve me ngjarjet e motit. Në vitin 2016, pas kërkesës për mbështetje nga autoritetet lokale, KFOR-i ofroi ndihmë në operacionin për lehtësimin e fatkeqësive nga përmbytjet në Shkup me mjete inxhinierike, duke përfshirë ngarkuesit, ekskavatorët dhe kamionët”, thotë raporti.
Veç përmbytjeve, nxehtësia ekstreme dhe grimcat në atmosferë konsiderohen sfidë për misionet dhe asetet e NATO-s, konstaton raporti. Për të kuptuar më mirë ndikimin e nxehtësisë ekstreme në rajon, aty thuhet se janë analizuar ndryshimet e parashikuara të temperaturës në vitet e ardhshme, të cilat mund të ndikojnë në uljen e operacioneve të NATO-s.
“Duke parë ditët në vit ku temperaturat shkojnë mbi 35°C, kjo shifër do të rritet në mënyrë dramatike me kalimin e kohës. Në periudhën afatshkurtër (2020-2039), parashikohen vetëm 4,4 ditë me temperatura mbi 35°C gjatë muajve të verës. Në terma afatgjatë (2060-2079), ky numër do të rritet në 21.2 ditë në vit. Në fund të shekullit (2080-2099), sipas skenarit më të keq, Kosova parashikohet të përjetojë 39.2 ditë në vit me temperatura mbi 35°C”, thotë raporti.
Aty përmendet edhe rritja e numrit të vdekjeve si pasojë e nxehtësisë dhe ndotjes së ajrit.
“Sipas skenarit më të keq, do të ketë një rritje të temperaturës prej 4°C ndërmjet periudhave afatshkurtër dhe fundit të shekullit, gjë që mund të ketë pasoja dramatike në rajon me rritjen e numrit të ‘ditëve të motit me flamur të zi’. Megjithëse rritja e parashikuar e temperaturës nuk është aq ekstreme sa në disa zona të tjera gjeografike ku operon NATO-ja, ajo është ende mjaft domethënëse për të përforcuar kërcënimet ekzistuese në një mjedis tashmë të nxehtë dhe për t’i zvogëluar ditët operacionale. Edhe në periudhën afatshkurtër, kjo trajektore pritet të ndikojë negativisht në produktivitet, duke ndërprerë potencialisht operacionet dhe duke rritur vdekshmërinë si pasojë e nxehtësisë dhe ndotjes së ajrit”, thotë raporti.
Me rritjen e temperaturave, jepet larmi për mundësinë e shterimit të liqeneve akumuluese në Kosovë.
“Për më tepër, parashikimet e temperaturave më të larta dhe rreziqet e shtuara nga zjarri, reduktimi i reshjeve dhe rritja e popullsisë sugjerojnë se deri në vitin 2050, katër nga pesë basenet ujore të Kosovës mund të përballen me mungesë uji, gjë që mund të ndikojë në furnizimin me ujë si për popullsinë lokale, ashtu edhe për personelin e KFOR-it”, shkruan në raport.
Përfaqësues organizatash që avokojnë për mbrojtjen e mjedisit thonë se rreziku ekziston pasi deri tash nuk janë marrë parasysh vërejtjet për dëmin që po i bëhet ambientit ekologjik.
“Të dhënat dhe statistikat që i menaxhon NATO-ja sigurisht se janë bazuar në gjetjet e tyre, marrë parasysh se kanë një prezencë shumë të shtuar në Kosovë, por sigurisht se i kanë lexuar edhe raportet e organizatave qeveritare dhe jo qeveritare në Republikën e Kosovës. Ne jemi dëshmitarë të asaj se vitet e fundit kemi pasur disa situata serioze me vërshime, reshje të shumta, me periudha më të gjata të thatësisë, do të thotë e kemi një mot ekstrem dhe kjo sigurisht se do të na përcjellë edhe vitet e ardhshme. Ne kemi ardhur në këtë gjendje pasi vërejtjet që janë dhënë nuk janë marrë parasysh dhe tani jemi në situatën kur duhet të adaptohemi”, thotë Valon Raka, drejtor ekzekutiv në organizatën për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”.
Sipas tij, kjo situatë është edhe pasojë e mospunës së institucioneve.
“Puna e institucioneve deri tash ka ngecje të mëdha dhe ne si shoqëri nuk jemi aty ku duhet me qenë. Mund të bëjmë shumë më shumë dhe ende nuk është vonë që të fillojmë dhe të angazhohemi që këtë situatë së paku ta përballojmë së bashku dhe ta ndalim degradimin e mjedisit. Ne po ashtu bëjmë thirrje që të mos jepen leje të reja për hidrocentrale, të shtohet sasia e pyjeve, të mbillen drunj të rinj, të ndërtojmë kapacitete të reja për akumulimin e ujit. Po ashtu kemi edhe Ujmanin në pjesën veriore ku është vetëm një pjesë e ndërtuar e sistemit Ibër Lepenc dhe duhet të ndërtojmë edhe pjesën e mbetur”, ka potencuar Raka.
Si përfundim në rastin e Kosovës, raporti i NATO-s konstaton se aspektet e lidhura me klimën mund të ndikojnë në punën e aktorëve të sigurisë në Kosovë në disa mënyra.
“Së pari, rritja e ngjarjeve të lidhura me klimën mund të shtojë kërkesën e FSK-në që të ofrojë mbështetje për autoritetet civile. Mbështetja e zhvillimit të aftësive të planifikimit të emergjencave civile dhe menaxhimit të krizave, si dhe kapaciteteve për t’iu përgjigjur ngjarjeve klimatike duhet të mbetet një element thelbësor i Termave të Referencës së NALT (Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s). Përveç kësaj, kjo gjithashtu mund ta rrisë kërkesën për burime të KFOR-it për të ndihmuar drejtpërdrejt institucionet e Kosovës”, shkruan në raport.
Luftërat konsiderohen një nxitës i ndryshimeve klimatike dhe dëmtimit të mjedisit, dhe, sipas NATO-s, agresioni i Rusisë mbi Ukrainën është shembulli më tipik. Mbështetur në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, përveç vuajtjeve njerëzore, pushtimi rus ka pasur ndikim shkatërrues klimatik dhe mjedisor jo vetëm në Ukrainë, por edhe përtej kufijve të saj.