Arbëri

Ndihma juridike falas në gjashtë komuna

Me hapjen e këtyre zyrave, Haxhiu ka thënë se krahas ofrimit të ndihmës juridike pa pagesë mundësohet dhe qasja në drejtësi dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët. Por në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili të mërkurën e ka publikuar një analizë mbi draftin e koncept-dokumentit për Ndihmë Juridike Falas, kanë thënë se reforma në këtë çështje duhet të bëhet nëpërmjet fuqizimit të mekanizmave aktualë duke e ruajtur pavarësinë e gjyqësorit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim të mërkurën për të themeluar zyra mobile për ofrim të ndihmës juridike falas për qytetarët në gjashtë komuna.

Me këtë iniciativë, Haxhiu ka vlerësuar se krahas ofrimit të ndihmës juridike pa pagesë mundësohet edhe qasja në drejtësi dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët.

“Sot kam nënshkruar vendimin për themelimin e gjashtë zyrave mobile në komunën e Podujevës, Klinës, Vushtrrisë, Lipjanit, Shtimes dhe Rahovecit për t’u ofruar kështu qytetarëve qasje direkte në ndihmën juridike falas përmes këtyre zyrave. Shtrirja e ndihmës juridike falas, qasja në drejtësi dhe mundësitë e barabarta për qytetarët janë qëllim i yni, andaj hapja e këtyre zyrave është një hap shumë i rëndësishëm për plotësimin e tyre”, ka bërë të ditur Haxhiu.

E në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili të mërkurën e ka publikuar një analizë mbi draftin e koncept-dokumentit për Ndihmë Juridike Falas, kanë thënë se reforma në këtë çështje duhet të bëhet nëpërmjet fuqizimit të mekanizmave aktualë, duke e ruajtur pavarësinë e gjyqësorit. Nëpërmjet një konference shtypi, në IKD kanë thënë se nuk kontestohet nevoja për përmirësimin e sistemit të ndihmës juridike falas, porse kanë vlerësuar se reformimi që propozohet në koncept-dokument është i panevojshëm.

“Përmbajtja e draftit të koncept-dokumentit, ndër të tjera, duket se synon që të realizojë një standardizim të kritereve të pranueshmërisë për të gjitha llojet e asaj që quan ndihmë juridike falas. Pra, një unifikim të mekanizmave institucional aktualë në një mekanizëm të vetëm që ofron ndihmë juridike falas. IKD në analizën e bërë konstatoi se ky qëllim sado që në pamje të parë jep përshtypjen e një qëllimi legjitim, megjithatë nuk mund të adresohet me ndryshime ligjore siç paraqiten në draftin e koncept-dokumentit”, është thënë në analizën e IKD-së. 

Sipas këtij Instituti, do të përbënte cenim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe shkelje kushtetuese nëse Agjencia për Ndihmë Juridike Falas do të ketë përgjegjësinë për pagesën dhe kontrollin e cilësisë për të gjitha format e ndihmës juridike të financuar nga shteti.