Arbëri

NDI: Shumica e kosovarëve informohen nga televizionet

Kosovarët më së shumti informohen nga televizionet e pastaj vijnë format e tjera të mediave. Të dhënat u bënë publike pas një hulumtimi të bërë nga NDI-ja në edicionin e 7 të Konferencës për Integritetin e Informacionit. Në ketë konferencë është theksuar rëndësia e madhe që ka lufta për të mbrojtur informacionin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se vendi që përfaqëson do ta ndihmojë Kosovën për çështjen e sulmeve kibernetike, me të cilat institucionet vendore këtë vit janë përballur kohë pas kohe. 

Ai mori pjesë në Konferencën për Integritetin e Informacionit – DISICON, që organizohet nga NDI-ja, e që temë kryesore pati ndikimin e lajmeve të rreme në proceset zgjedhore, por edhe për mënyrën se si po deformohet lajmi dhe si po ndikon ai në secilën fushë.

“Dua t’ju siguroj që SHBA-ja është duke i kushtuar kësaj çështjeje vëmendje. Duhet të identifikojmë problemet. Ky është një hap i rëndësishëm që të dalim nga analiza në veprime për të adresuar problemet. Mbështetja jonë është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të ndihmuar shoqëritë demokratike në Kosovë, duke përmirësuar integritetin e informatës, duke u mbrojtur kundër sulmeve shkatërruese kibernetike”, ka thënë ambasadori Hovenier. “Duam të punojmë me media, me shoqërinë civile. Dëshirojmë që t’i mbështesim mediat e pavarura për të zhvilluar modele të reja të financimit që të vazhdojnë t’u ofrojnë informata të sakta qytetarëve edhe në të ardhmen”.

E shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, ambasadori Tomasz Szunyog, ka thënë se bota demokratike është në një rrezik, në të cilin nuk ka qenë më herët, nga shpërndarja e dezinformatave, duke vënë theksin tek proceset zgjedhore.

“Ekziston një rrezik më i madh që ndikimi në zgjedhje do të jetë më i madh se në të kaluarën. Platformat online dhe mungesa e mbikëqyrjes së tyre krijojnë ndjenjë të pandëshkueshmërisë. Ky ndikim mund të ndikojë në rendin botëror. Jemi këtu për të shkëmbyer përvoja se si t’i ruajmë zgjedhjet demokratike”, ka thënë ambasadori Szunyog. “Komisioni Evropian ka thënë se dezinformacioni  polarizon shoqëritë demokratike duke thelluar tensione, duke minuar shtyllat demokratike, siç janë sistemet zgjedhore. BE-ja ka ndërmarrë masa për të luftuar dezinformacionin siç është krijimi i grupeve krijuese për strategji të komunikimit, si dhe krijimi i sistemit të alarmimit”.
Gjatë kësaj konference, zëvendësshefi i NDI-së në Kosovë, Valon Kurhasani, ka prezantuar gjetjet kryesore të hulumtimeve kualitative dhe kuantitative, të realizuara nga kjo organizatë lidhur me zhvillimet e fundit në peizazhin mediatik dhe atë informativ. 

Sipas rezultateve të lexuara, televizionet janë burimi kryesor i informacionit, e më pas vijnë rrjetet sociale.

“Kur flasim për përdorimin e mediave, ne shohim që shumica e kosovarëve informohen përmes televizioneve kosovare me 85 për qind. Në anën tjetër është duke u rritur numri i kosovarëve që marrin informacione nga rrjetet sociale. Kjo ka të mirat dhe të këqijat”, ka thënë Kurhasani. “Gjithashtu jemi të vetëdijshëm që një pjesë e përmbajtjes nga rrjetet sociale vjen nga televizionet”.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe Robert Benjamin, drejtor i lartë rajonal i NDI-së për Evropën Qendrore dhe atë Lindore, si dhe ambasadorja e Kanadasë për Kroaci dhe Kosovë, Jessica Blitt. Në panel diskutimi ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.