SHSKUK-ja e ka kaluar në heshtje përcaktimin e një kompanie për ta ndërprerë furnizimin me një ilaç për pacientët me kancer. Pacientët kanë mbetur pa medikament, e zyrtarë të SHSKUK-së kanë shpërfillur ligjin kur nuk kanë ndëshkuar kompaninë e kontraktuara. Edhe këta zyrtarë janë amnistuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së
Pacientët kanë mbetur pa disa barna të listës esenciale, shkaku i keqmenaxhimit me kontrata nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar.
Gjatë javës KOHA raportoi se operator ekonomik “Lego Sh.P.K”, që nuk përmbushi kontratën për furnizim dhe la pacientët me kancer pa një ilaç, ka kaluar pa u dënuar, meqë për të aplikuar ndonjë masë Zyra e Prokurimit konfirmoi se nuk ka marrë rekomandime nga menaxherja e kontratës, Besa Kadriu dhe as nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i menaxherit, Erblin Elezi. E të dy këta, sipas rregullores për Prokurim Publik, janë caktuar nga zyrtari kryesor administrativ, që në rastin e SHSKUK-së është drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi.
Ardit Dragusha, hulumtues i çështjeve të prokurimit në organizatën “Demokraci Plus” thotë se në situata si kjo parashihen masa ndëshkuese ndaj menaxherëve, e të cilat nuk i ka aplikuar menaxhmenti i SHSKUK-së.
“Në rastin kur menaxheri i kontratës nuk i përmbush detyrat dhe obligimet e tij, në këtë rast që ka qenë shkëputja e kontratës, njoftimi i zyrës së prokurimit publik, atëherë menaxhmenti i institucionit duhet të marrë masa disiplinore ndaj këtij personi”, ka thënë Dragusha.
Sipas tij, veç masave disiplinore ndaj menaxherëve, zyrtari kryesor administrativ ka në mandat edhe zëvendësimin e tyre.
“Zyrtari përgjegjës i prokurimit publik në momentin kur e sheh që një kontratë nuk është duke u përmbushë, duhet me e njoftu zyrtarin kryesor administrativ e zyrtari kryesor administrativ e ka në mandatin e tij me e zëvendësu, me e ndryshu menaxherin e kontratës, se menaxheri i kontratës duhet me e iniciu këtë procedurën e ndërprerjes së kontratës dhe pastaj zyra e prokurimit për ta bërë konfiskimin e sigurisë së ekzekutimit, pasi kjo kontratë nuk është përmbushur, pra sipas detyrave dhe përgjegjësive që janë kanë aty”, ka shpjeguar procedurën Dragusha.
KOHA adresoi pyetje te menaxheri i kontratës dhe mbikëqyrësi, e ato ua ka përcjellë edhe nëpërmjet SHSKUK-së, por përgjigjet kanë munguar.
Në SHSKUK nuk kanë dhënë një arsyetim as për masat që nuk i kanë ndërmarrë ndaj këtyre dy zyrtarëve e as ndaj operatorit që nuk i është përmbajtur kontratës, duke lënë pacientët me kancer pa një medikament.