Arbëri

Ndërtimi i sistemit shëndetësor në luftë e nën masa të dhunshme, kontributi i humanistit Demolli

Doktor Gani Demolli e nisi ndërtimin e një sistemi të tërë shëndetësor në vitet ‘90, me zbatimin e masave të dhunshme. Pas ngritjes se ambulancës së parë të “Nënës Terezë” më 1992, në gjithë Kosovën u hapën gjithsej 116. Për këtë kontribut Demolli u vlerësua lart nga bashkëpunëtorët e dikurshëm

Me zbatimin e masave të dhunshme në fillimvitet ‘90, sistemi shëndetësor ekzistues u shkatërrua e mjekë dhe infermierë shqiptarë u përjashtuan nga puna.

Doktori Gani Demolli më 1991 qe aktivist i shoqatës “Nëna Terezë”, e më pas do të bëhej njeriu kryesor që i priu krijimit të një sistemi shëndetësor që ofroi shërbime falas për të gjithë.

Ali Aliu, njëri nga bashkëpunëtorët e tij, tregon se si nisi ideja për ngritjen e ambulancës së parë të tillë më 1992.

“Ka shkuar në shi në ora 2 një i plagosur, nuk e ka ditë ku me shku. Atij si mjek i ka lindur ideja që me hapë një ambulantë, me e jap një gjilpanë, naj plagë me pastru edhe më thotë, ku mundem me e gjete naj shtëpi kështu. Unë lind e rritë jam në Vranjevc. M’i kanë liruar 3 shtëpia menjëherë. Jemi vendosur në shtëpinë e Shaban Svircës”, ka thënë Aliu.

Pas të parës, ambulancat e “Nënë Terezës” u shtuan në çdo anë të Kosovës. Rrjeti i tyre u bë esencial për mbajtjen në këmbë të një sistemi mirë të organizuar të shëndetësisë.

Me fillimin e luftës, ato do të luanin rol kyç në trajtimin e ushtarëve të plagosur. E puna aty duhej bërë në mënyrë diskrete.

25 vjet pas luftës, infermierja Vahide Isufi thotë se punët që i bëri me Demollin janë të paharrueshme.

“Ato që i kemi përjetuar nuk i harrojmë kur. Por i ndjeri, doktori Gani Demolli ka dhënë një kontribut aq të madh saqë sot, në këtë shtet, askush nuk mundet me e dhanë. Ka qenë humanitar. Kemi qenë vullnetarë pa kurrëfarë kompensimi. Orar e pa orar kemi punuar”, ka treguar Isufi.

E infermierja Emine Restelica thotë se pati menduar që ky sistem do të ishte i përkohshëm e jo që do të zgjaste për gati një dekadë.

“Ne të gjithë kemi filluar për një kohë shumë të shkurtër. Kemi menduar që brenda 6 muajsh do të kthemi në vendet tona të punës, por vitet shkonin derisa filloi edhe lufta. Me fillimin e luftës kanë qenë 4 ekipe të Nenës Terezë që dilnin në zonat e luftës”, ka thënë ajo.

Në gjithë Kosovën u hapën gjithsej 116 ambulanca të tilla, kudo që pronarët i lëshonin shtëpitë për këtë qëllim. E në to u angazhuan rreth 1 mijë e 700 punonjës shëndetësorë që i humbën vendet e punës nën masat e dhunshme.