Arbëri

Ndërtimi i nënkalimit në “Agim Ramadani” pritet të fillojë gjatë verës

Sheshi “Ibrahim Rugova” do të lidhet me pjesën e vjetër të qytetit dhe rruga “Agim Ramadani” nuk do të shfrytëzohet për vetura. 

Për qarkullimin e tyre, në këtë rrugë do të ndërtohet një tunel, i cili do të jetë i pari i këtij lloji në kryeqytet.

Pas premtimeve të shumta, projekti madhor i qendrës së Prishtinës, duket se është afër fillimit të punimeve.

Sipas drejtorit për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, të premten është bërë hapja e ofertave, ndërsa, sipas parashikimeve punimet mund të nisin gjatë kësaj vere.

“Në nënkalimin në rrugën ‘Agim Ramdani’ të premten bëhet hapja e ofertave në zyrën e prokurimit dhe nëse gjithçka shkon mbarë e mirë shumë shpejt mund të fillojmë punimet. Lutemi që procesi i prokurimit të kaloj sepse është jashtë procesit tonë. Në momentin që nënshkruhet kontrata atëherë jemi në hap për fillimin e punimeve shumë shpejt”, ka thënë ai.

Projekti i cili do të kushtojë 6 milionë euro, parashihet ta kthejë Prishtinën në një kaos trafiku.
Për këtë, Xhaferi thotë se do të punohet me dy ndërresa dhe punimet parashihet të zgjasin 5 muaj.

“Nëse nuk shkon në OSHP sigurisht nënshkruhet shumë shpejt, por nëse shkojnë atëherë mund ta vonoj si proces. Çka është e rëndësishme është njëri projektet më të mëdha të komunës së Prishtinës, jo për nga vlera, por nga rëndësia pasi do të punohet në qendër të Prishtinës. Do të punohet në dy ndërrime, do të ketë tollovi në komunikacion, pasi të lirohet si pjesë e nënkalimit do të jetë një model infrastrukturore.  Vlera është 6 milionë dhe do të punohet në dy ndërrime. Ne e kemi në plan për 5 muaj ta realizojmë në kuadër të dy ndërrimeve të punimeve në këtë pjesë. Në kontratat e reja nuk e kemi pasur asnjë problem në planin dinamik, kryesisht plani dinamik ka qenë në kontrata të vjetra që i kemi trashëguar dhe kanë pasur këtë problem. Në kontratat e reja është respektuar kryesisht plani dinamik”, ka deklaruar ai. 

Projekti do të ketë edhe fazën e dytë, i cili del të jetë pak më i komplikuar. Për realizimin e tij, sipas Xhaferit, parashihet edhe prishja e disa objekteve në rrugën ku gjendet shkolla “Sami Frashëri”. 

“Kjo do të jetë në fazën e dytë, gjerësia që është për momentin nuk e kapërdinë pjesën e nënkalimit. Kjo do të jetë në fazën e dytë të realizimit. Duhet të kemi parasysh edhe prishjen e disa objekteve të cilat e pengojnë fazën  e dytë të realizimit dhe pjesa e autobusëve nga rreth-rrotullimi i komunës do të hipë mbi dhe do të shkojë deri në Gërmi, ndërsa komunikacioni aty nuk do të zhvillohet derisa faza e dytë të merr formë”, ka shtuar ai.

Disa qytetarë që jetojnë në këtë pjesë të qytetit po e mirëpresin këtë projekt, duke iu gëzuar kthimit të Prishtinës së vjetër në kalldrëm.

Por ka edhe të atillë që nuk besojnë në realizmin e këtij projekt.

Krahas këtij projekti, Prishtina është duke punuar për ndërtimin e “Rrugës A” e shumë projekte të tjera infrastrukturore që pritet të ndikojnë direkt në minimizimin e tollovive në trafik.