Komuna e Shtimes prej dy vjetësh ka ngecur ta ndërtojë një çerdhe publike në Petrovë të Shtimes. Së fundi, Ministria i ka kërkuar asaj që projekti të ndryshohet pasi që objekti në dy kate nuk preferohet për fëmijët parashkollorë. Opozita në këtë komunë e ka akuzuar pushtetin lokal duke thënë se nuk po di t’i lexojë ligjet
Prej vitit 2022 nuk ka arritur të përfundojë ndërtimi i një çerdheje publike në fshatin Petrovë të Shtimes.
Komuna pati planifikuar që objekti në hapësirën prej 7 arësh të ndërtohej në dy kate, por së fundi Ministria e Arsimit ka kërkuar që vendimi i Komunës të ndryshohet.
Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, në mbledhjen e fundit të Kuvendit e ka prezantuar para kuvendarëve ndryshimin e vendimit për çerdhe me arsyetimin se Ministria e Arsimit ka vendosur kritere të reja dhe ka kërkuar që objekti të mbetet përdhes dhe jo në dy kate.
Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime, ka thënë se kjo qeverisje nuk po i lexon ligjet, andaj shkaku i kësaj shpeshherë po ngecin projektet kapitale.
“Do të thotë kemi vonesa, qeveria komunale ka dështuar për dy vite radhazi ta fillojë ndërtimin e këtij projekti në fshatin Petrovë, fillimisht projekti është hartuar gabimisht , është bërë në dy kate, mandej ka pasur edhe një gabim në emërtim të fshatit Petrovë për çka kërkesa është dërguar për fshatin Petoviç, që i bie në Lagjen e Pajtimit në vend që të dërgohet në fshatin Petrovë”, ka thënë ai.
Rreth kësaj çështjeje ishte debatuar mjaft gjatë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit.
E drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes, Yllka Fejzullahu, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se pasi janë shqyrtuar mundësitë, objekti do të ndërtohet ashtu si është kërkuar nga MASHTI.
“Nuk është e vërtetë që e kemi ngatërruar apo gabuar emrin e fshatit, pasi që kërkesa e DKA-së dhe e qeverisjes Aliu tërë kohën ka qenë e qartë ‘Ndërtimi i çerdhes në fshatin Petrovë’ dhe për pyetjen e dytë, objekti është njëkatësh dhe jo dykatësh pasi i kemi shqyrtuar disa mundësi”, është shprehur ajo.
Për ndërtimin e këtij objekti, KOHA ka raportuar edhe në të kaluarën, derisa banorët e patën kundërshtuar zhvendosjen e disa varreve nga parcela ku është planifikuar ndërtimi i saj.