Bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës mund të hyjë në një fazë pa dalje, pas dështimit të vazhdueshëm për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit, kanë thënë njohës të zhvillimeve. Sipas tyre, me gjithë të drejtën kushtetuese që fituesi i zgjedhjeve ta propozojë kandidatin, mungesa e konsensusit politik dhe refuzimi i kandidaturës aktuale mund ta thellojnë ngërçin institucional
Bllokimi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës po hyn në një fazë kritike, pas dështimit të tretë për ta siguruar shumicën e nevojshme për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu.
Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka theksuar se pavarësisht se është e drejtë kushtetuese e LVV-së që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, dështimi i një kandidature në tri seanca radhazi tregon për konsumim të saj.
“Për t’u zhbllokuar situata duhet që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një kandidat tjetër, jo domosdo të jetë ai/ajo që e propozon Aleanca, sepse është e vërtetë që s’mundet opozita t’ia diktojë emrin e kandidatit, sepse është e drejtë kushtetuese e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo në situatën kur tri herë dështon një kandidat, logjikisht, sipas të gjitha praktikave juridike e edhe parlamentare, ai kandidat është i konsumuar dhe nuk ka se përse të vazhdojë tutje me të”, ka thënë ai.
Sipas Bugaqkut, mungesa e një marrëveshjeje politike rrezikon që ta thellojë krizën institucionale dhe, sikurse ka ndodhur në vitin 2014, mund edhe të kërkohet sërish ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për të ofruar një interpretim të ri për situatën.
Në rast se vazhdojnë qëndrimet e betonuara të palëve, ai ka shtuar se dhjetë deputetë të Kuvendit do të duhej që ta konsideronin mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime lidhur me atë se çfarë ndodh nëse vazhdimisht dështon të zgjidhet kryetari dhe të mos ndryshohet emri.
“Besoj që dhjetë deputetë duhet të marrin guximin, pasi ua lejon Kushtetuesja të provojnë të dërgojnë rast në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se Kuvendi ka marrë vendim të refuzojë një kandidaturë. Pra, çka ndodh nëse vazhdimisht nuk ka numra partia fituese dhe nëse vazhdimisht dështon të zgjidhet kryetari. Nëse nuk ka marrëveshje politike, duhet të merret një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, dhe siç ka bërë në vitin 2014 ta rigjykojë këtë situatë”, ka theksuar ai.
E zëvendëskryeredaktori i KOHËS, Elmaz Isufi, ka kujtuar precedentin e vitit 2020, kur Lëvizja Vetëvendosje ka arritur një kompromis me Lidhjen Demokratike (LDK), duke ia dhënë fillimisht pozitën e kryeparlamentarit Glauk Konjufcës, për ta zëvendësuar më vonë me Vjosa Osmanin.
“Një kompromis rreth kryetarit të Kuvendit e ka bërë LVV-ja kur ka hyrë në koalicion me LDK-në pasi është zgjedhur Glauk Konjufca. Është hapur një proces tjetër dhe ishte zgjedhur Vjosa Osmani në këtë pozitë. Kështu që nuk e dimë se mund të përsëritet kjo histori, por nuk besoj se do të bëhet me ndonjë subjekt të vogël. U mbetet Kuvendit, deputetëve të bëjnë zgjidhje për dalje nga kjo situatë. Nuk e di nëse ditët e ardhshme do të ketë vullnet tjetër nga ndonjëra prej partive opozitare që të pranojë kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit, eventualisht dikush nga deputetët që në të gjitha këto seanca ka abstenuar, mund të japë vota për”, ka theksuar Isufi. “Praktika që numrat që do t’i kemi për qeveri e jo për Kuvend më duket e pazakontë. Është dashur të jetë e kundërta, meqë Kuvendi është institucion mbi Qeverinë, mbi Presidencën, sepse të gjitha këto trupa vijnë prej Kuvendit”.
Për t’u përmbyllur me sukses seanca konstituive, duhet të votohen kryetari i Kuvendit e edhe nënkryetarët e tij. Deputetët obligohen që të mblidhen më së largu çdo 48 orë deri në konstituimin e organit ligjvënës.